TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili ka sulmuar sot qeverinë dhe Ministrinë e Shëndetësisë duke kritikuar gjendjen e vështirë në sistemin shëndetësor.


Sipas Vasilit, sot shëndetësia është një skutë qorre në ministrinë e Çështjeve Sociale dhe se është zhbërë një traditë e shkëlqyer profesionalizmi e epidemiologjisë shqiptare të konsoliduar në dhjetëra vite duke risjellë në kujtesë epideminë e fruthit dhe alarmin për Ethet e Nilit. Vasili thotë se sot shëndetësia është një llogari më shumë e oligarkëve klientë të qeverisë.


STATUSI I VASILIT
Shëndetësia fatkeqe që shkërmoqet pa kthim.
Shëndetësia tashmë është një aneks ose më mirë me thënë një apendiks, zgjatim apo një skutë qorre në ministrinë e çështjeve sociale ku e kanë ngjeshur.


E demotivuar dhe e përbuzur si asnjë herë në historinë e saj përfshirë edhe diktaturën, shëndetësia sot nuk ka më asnjë orientim as strategjik as ekzekutiv, as legjislativ dhe as fuqi t’i përgjigjet përditshmërisë.

Shëndetësia është shndërruar në një daulle propagandistike më shumë në tufën e daulleve të çara të qeverisë.
Edhe në rastet e rreziqeve epidemike me peshë në shëndetin publik si psh. fruthi dhe ethet e Nilit Perëndimor reagimet e saj kanë qenë më pak se sa ato të një qendre shëndetësore.

Sot e kësaj dite epidemia e fruthit nuk është deklaruar as e hapur as e mbyllur.
Edhe për Ethet e Nilit ministria inekzistente lau duart me një mesazh thuajse anonim në ëhats up, pra shurdh memec, pa gojë e pa zë. Kjo sjellje prej injorantesh e ministrisë e dallonte atë nga të gjithë vendet e Ballkanit që e trajtojnë me shumë përgjegjësi në mënyrë të përditshme ketë emergjencë të shëndetit publik. Duke prishur e tronditur një traditë të shkëlqyer profesionalizmi të epidemiologjisë shqiptare të konsoliduar në dhjetëra vite.

E përqendruar tek një check up i falimentuar dhe një turp profesional mjekësor, që thjesht gllabëron paratë publike, shëndetësia është katandisur thjesht në një llogari më shumë e oligarkëve klientë të qeverisë.

Qytetarët nuk janë të parët për shëndetësinë e qeverisë por thjesht personazhe të videove të neveritshme të sharlatanizmit kryeministror. Duhet ndalur ky rrënim i një shëndetësie që po përjeton ditët më të errëta të saj.

Ta nxjerrim shëndetësinë në dritë nga skuta ku e ka ngjeshur qeveria.
Ky kryeministër edhe po të dërmohet Shqipëria nga epidemitë do të thotë shprehjen idiote “kështu i ndodh edhe të tjerëve” dhe do të përkëdhelet me debilitet para pasqyrës ku i rruajnë mjekrën.

(BalkanWeb)