VATIKAN- Duket se prania e katër krerëve të komuniteteve fetare shqiptare në marshimin e mbajtur në Paris për viktimat e Charlie Hebdo, ka tërhequr sërish vëmendjen e Papa Franceskut, si shembull i bashkëjetesës fetare.

Përpara trupit diplomatik në Vatikan, Papa Francesku ka përsëritur deklaratat e bëra gjatë vizitës në vendin tonë dhe tha se Shqipëria është një dëshmi për takimin e kulturave, një vend plot me të rinj që janë shpresë për të ardhmen.

“Një dëshmi elokuente se kultura e takimit është e mundur, unë e kam përjetuar gjatë vizitës sime në Shqipëri, një vend plot me të rinj, të cilët janë shpresë për të ardhmen. Pavarësisht nga plagët e pësuara, vendi karakterizohet nga “bashkëjetesa paqësore dhe bashkëpunimi midis feve të ndryshme” në një atmosferë të respektit dhe besimit të ndërsjellë në mes katolikëve, ortodoksëve dhe myslimanëve”, ka thënë Ati i Shenjtë.

Ai ka përdorur vendin tonë si shembull për të dhënë mesazhin se mistifikimi i fesë sjell dhunën, ndërsa ajo që duhet është një besim në Zot i hapur. “Kjo është një shenjë e rëndësishme që një besim i sinqertë në Zot i hapur ndaj tjetrit, gjeneron dialogun dhe vepron për të mirën, ndërsa dhuna gjithmonë lind nga një mistifikim i vetë fesë, e marrë si një pretekst për projektet ideologjike që kanë si qëllim të vetëm sundimin e njeriut nga njeriu”, ka thënë Papa para trupit diplomatik në Vatikan.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb