VAU I DEJËS

Partia Socialiste në Vaun e Dejës i ka quajtur absurde dhe qesharake deklaratat e PD përmes sekretarit të përgjithshëm, Gazmend Bardhi lidhur me parregullsitë në procesin e zgjedhjeve të 30 qershorit për Vaun Dejës. Sekretari për marrëdhëniet me publikun në PS-në e Vaut të Dejës, Agron Ceka shprehet se procesi në bashkinë në fjalë ka qenë i rregullt duke hedhur poshtë kështu akuzat e PD.

Sipas Cekës, ditën e shtunë pas mesnate kanë mbërritur të gjitha materialet zgjedhore tek KZAZ 6 Bushat të cilat u dogjën pak ditë përpara 30 qershorit dhe të pranishëm kanë qenë vëzhguesit e OSBE ODIHR duke cilësuar të pavërteta pretendimet e PD se këto materiale mëngjesin e 30 qershorit kanë qenë në doganën e Hanit të Hotit.

Ceka thotë se ish kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Zef Hila ka pranuar publikisht në media se sulmi për djegien e KZAZ 6 është bërë nga vetë PD duke qenë kontradiktor me deklaratën e sekretarit Bardhi se ai sulm ishte një skenar i PS.

Ceka hedh poshtë edhe pretendimet për anëtaren PS të KZAZ 6 në Bushat Kristina Ndoja duke thënë se kjo e fundit ka dhënë dorëheqjen si kandidate për këshillin bashkiak të Vaut të Dejës dhe e ka paraqitur atë në KQZ. Ky reagim i PS Vau i Dejës vjen si kundërpërgjigje pas deklaratave dhe pretendimeve të PD lidhur me zgjedhjet e 30 qershorit në atë bashki ku fitues u shpall Mark Babani i PS, i vetëm në atë garë.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb