Situata në Lindjen e Mesme Lufta vazhdon të përshkallëzohet, ndërsa Izraeli dhe grupi militant libanez Hezbollah vazhdojnë të shkëmbejnë sulme ndaj njeri tjeterit. Izraeli njoftoi se rrëzoi një raketë të lëshuar nga Hezbollahu që synonte të godiste selinë e agjencisë së inteligjencës izraelite Mossad, pranë Tel Avivit. Shtëpia e Bardhë shprehu shqetësim të thellë pas njoftimit për sulmin me raketa të Hezbollahut në Izrael.

Hezbollahu hodhi dhjetëra raketa në Izrael të mërkurën, duke përfshirë edhe një zonë pranë Tel Avivit. Kjo është goditja më e thellë brenda territorit izraelit nga grupi Hezbollah, në konfliktin 11 mujor.

Izraeli njoftoi se rrëzoi një raketë që sipas njoftimeve të Hezbollahut , synonte të godiste selinë e Mossad-it pranë Tel Avivit.

Ndërkohë, një shtëpi në Izraelin verior, në Safed, afër kufirit me Libanin, u godit nga raketat e Hezbollahut.

Disa njerëz nxituan të ndihmonin familjen që ishte bllokuar brenda shtëpisë së përfshirë nga zjarri.

Në një vendbanim tjetër izraelit, Saar, njoftohet për tre izraelitë të plagosur gjatë sulmeve me raketa të Hezbollahut.

Shtëpia e Bardhë tha se është thellësisht e shqetësuar nga sulmet e fundit, sipas zëdhënësit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby.

Duke folur për rrjetin CNN, zoti Kirby tha se sulmi i ri është “një dëshmi më shumë që Izraeli po përballet me një kërcënim legjitim nga një grup terrorist i mbështetur nga Irani”.

Ndërkaq, ushtria izraelite dhe agjencia shtetërore e lajmeve e Libanit njoftuan për bombardime të reja izraelite të mërkurën në Libanin jugor.

Konflikti i përshkallëzuar do të jetë një nga temat kryesore të një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të mërkuren pasdite në Nju Jork.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: