Policia e Korçës ka bërë njoftim zyrtar për vdekjen e 14-vjeçarit Leo Sadiku, banues në fshatin Pocestë të Maliqit. I mituri humbi jetën në QSUT ku po trajtohej për simptoma gripi dhe COVID-i.
Sipas Policisë së Korçës, 14-vjeçari ka humbur jetën për shkaqe natyrore në QSUT, pasi ka pësuar arrest kardiak.
“Më datë 08.01.2025, në QSUT, Tiranë, ka humbur jetën, një 14-vjeçar, banues në fshatin Pocestë, Maliq. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas ka humbur jetën, për shkaqe natyrale (arrest kardiak)”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërkohë, nga spitali i Korçës sqarojnë mjekët se 12-vjeçari pasi ka patur një stabilizim shëndetësor në datë 31 dhjetor dhe me dëshirën e familjarëve të tij është larguar nga spitali.
Gjatë shtrimit ai është mjekuar me antibiotikë, perfuzione dhe ilaçe për barkun.
I gjithë mjekimi është bërë mbi rezultatet e analizave. Në datën 7, kur ai është paraqitur përsëri në urgjencën spitalore të Korçës është bërë stabilizimi i gjendjes shëndetësore edhe pse u paraqit në situatë shumë të rënduar në spital dhe për shkak të simptomave, te cilat jane te njejta per disa diagnoza, u be e mundur te niset menjehere në kryeqytet per mjekim te specializuar dhe per ekzaminime te thelluara shendetesore.
Saktësohet që rasti është ndjekur me përparësi në spitalin e juglindjes nga personeli shëndetësor. Ndërkohë ajo që dihet është se në spitalin e Korçës nuk ka mjek kardiopediatër. Nga ana tjetër Prokuroria e Korçës ka nisur hetimet mbi shkaqet e ngjarjes.
Ndërsa QSUT, në njoftimin e shpërndarë për mediat, sqaroi se Leo Sadiku ishte diagnostikuar me miokardit akut, një sëmundje e rrallë dhe e rrezikshme, e cila shoqërohet me shkallë të lartë të vdekshmërisë.
“Pavarësisht kujdesit maksimal dhe trajtimeve të kryera sipas protokolleve mjekësore, ndarja nga jeta e pacientit ka qenë e pamundur të parandalohet”, sqaron QSUT.
“QSUT i shpreh ngushëllimet më të thella familjes së 12-vjeçarit L.S në këtë moment të vështirë. Nisur nga interesi i publikut për rastin tragjik të ndarjes nga jeta të 12-vjeçarit, informojmë se pacienti L.S. është hospitalizuar në Spitalin Pediatrik të QSUT më datë 7 janar 2024 dhe ka ndërruar jetë më datë 8 janar 2025, në orën 01:45, në Shërbimin e Terapisë Intensive Pediatrike. Pas ekzaminimeve të kryera, pacienti është diagnostikuar me miokardit akut, një sëmundje e rrallë dhe e rrezikshme, e cila shoqërohet me shkallë të lartë të vdekshmërisë. Pavarësisht kujdesit maksimal dhe trajtimeve të kryera sipas protokolleve mjekësore, ndarja nga jeta e pacientit ka qenë e pamundur të parandalohet. Duke mirëkuptuar dhimbjen e familjes dhe interesin e publikut, QSUT riafirmon përkushtimin për transparencë dhe për ofrimin e trajtimeve më të mira për çdo pacient”.
(BalkanWeb)