ELBASAN – Vdekja tragjike e 23-vjeçares Ela Haziraj në Gjermani dhe plagosja e të fejuarit të saj ka tronditur të afërmit e tyre. Lajmin e hidhur për humbjen e të fejuarës së djalit në Frankfurt të Gjermanisë, familja e Saimir Gjokpalaj nga fshati Petreshë e rrethit të Elbasanit e ka mësuar nëpërmjet telefonit. Babai i 25-vjeçarit, i cili mbeti i plagosur pas përplasjes nga treni dje deklaroi se ata kanë qenë duke folur në telefon kur është dëgjuar një zhurmë e fortë dhe se menjëherë u shkoi mendja se mund të kishte ndodhur ndonjë fatkeqësi. Në fakt, dyshimi i tyre është konfirmuar pas rreth 6 orësh nga njerëzit e afërm që ndodheshin në kamp. “Rreth orës 15:00 të së mërkurës, djali im, Saimiri, kishte marrë në telefon gruan. Teksa ishin duke folur, bashkëshortja kishte dëgjuar zhurmë të madhe dhe ulërima. Në atë moment kishte ndodhur aksidenti”, tha Ferit Gjokapalaj. Ndërkohë, mësohet e Sajmiri ishte diplomuar për shkenca politike, ndërsa e fejuara e tij nga Kukësi, Ela Haziraj, për gjuhë-letërsi në Universitetin e Tiranës. Gjatë viteve të studimit, dy të rinjtë janë njohur, dashuri e cila përfundoi me fejesë. Në pamundësi për të gjetur një punë në profesionin e tyre, ata vendosën të shkonin në Gjermani për një jetë më të mirë. “Kanë punën e tyre kalamajtë. Janë të rinj dhe duan punë. Djali mbaroi shkollën dhe e kam mbajtur unë deri në moshën 25 vjeç. Saimiri dhe e fejuara e tij ikën për rrugë andej, ku ta di unë”, tha Feriti. Pas lajmit të hidhur për vdekjen Elës, ai ka udhëtuar drejt Kukësit për të ngushëlluar familjen Haziraj. “Jam tronditur shumë kur mora lajmin për ndarjen nga jeta të Elës. Më është dhimbsur, pasi e kam pasur në shtëpi. Ajo ka qenë gjithnjë në shtëpi me çunin. Kishin dy vjet që ishin bashkë”, u shpreh Ferit Gjokpalaj. Trupi i pajetë i 23-vjeçares nuk ka mbërritur ende në familje dhe kjo e shton akoma më shumë dhimbjen për të afërmit, të cilët që prej së mërkurës kanë hapur dyert e mortit. Nga ana tjetër, në familjen Gjokpalaj në Petreshë të Elbasanit i luten Zotit që të shpëtojë djali, i cili si qindra shqiptarë të tjerë shkoi si azilant në Gjermani, duke shpresuar për një jetë më të mirë. Fati tragjik i dy të rinjve i ka prekur shumë banorët e Kukësit dhe të Elbasanit, dhe jo vetëm ata.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb