Në lidhje me vdekjen e 3-vjeçarit Brian Spahiu, ekspertiza që ka dërguar në Itali prokuroria, i është kthyer pas për mungesë dokumentacioni, sepse organi i akuzës ka dërguar në letërporosi vetëm letrat dhe jo mostrat e plota.

Prokuroria e Tiranës muaj më parë ka dërguar letërporosi në Itali, për të kryer një ekspertizë mjekoligjore, në mënyrë që të përcaktohet shkaku i vdekjes së 3-vjeçarit Brian Spahiu në një klinikë dentare në Tiranë. Familjarët e 3-vjeçarit kanë kundërshtuar që ekspertiza mjekoligjore të ribëhet në Itali.

Gazetari Igli Çelmeta raporton për BalkanWeb se ekspertiza mjekoligjore që u bë nga IML rezultoi se shkak për vdekjen fatale të 3 vjeçarit u bë anestezia, e vendosur në klinikën dentare të mjekut Roland Xhaxho. Por prokuroria e Tiranës kërkoi të bëhej ekspertiza mjekoligjore në Itali, pasi sipas organit të akuzës akti i parë i ekspertizës ishte i paplotë , konkluzioni ishte i pasaktë dhe se mungonin ekspertët e fushës për të dhënë përgjigje për të gjitha pyetjet.

Po ashtu News24 mëson se prokuroria ka marrë në pyetje vetëm një mjek në QSUT, ndërsa të tjerët që kanë qenë kurim nuk janë marrë në pyetje kur 3-vjeçari ishte i shtruar te pediatria e QSUT, pasi kishte bërë ndërhyrje në dhëmbë te klinika e Roland Xhaxhos. Kur 3-vjeçari u shtrua në QSUT e kanë asistuar të paktën 6 mjekë.

  • foto galeri
  • foto galeri

Po ashtu, prokuroria ka sekuestruar kartelën te QSUT dhe nuk ka lënë asnjë kopje për familjarët. Familjarët e 3-vjeçarit kanë kërkuar vazhdimisht informacion nga prokuroria lidhur me hetimet, por nuk ka marrë asnjë përgjigje. Përgjigja që kanë marrë “Ju si trashëgimtarë të viktimës nuk keni të drejtë të informoheni gjatë hetimit, kur të mbarojnë hetimet do u pajis me dosjen”

3-vjeçari Brian Spahiu ndërroi jetë ne reanimacionin e Pediatrisë më datë 1 tetor 2023, tre ditë pas një mjekimi që kreu në 14 dhëmbë në klinikë dentare në kryeqytet të mjekut Roland Xhaxho.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: