Policia britanike vazhdon marrjen në pyetje të shoferit të kamionit ku u gjetën 39 persona të vdekur brenda rimorkios frigoriferike në Essex por ende nuk ka një deklaratë se cilës kombësi i përkasin viktimat. Mo Robinson, 25 vjeç, nga Portadown, Qarku Armagh, u arrestua dje me dyshimin e vrasjes nga Policia e Essex.

Oficerët në Irlandën Veriore kanë bastisur dy shtëpi dhe Agjencia Kombëtare e Krimit tha se po punonte për të identifikuar “grupet e krimit të organizuar që mund të kenë pasur rol”.

Trajleri mbërriti në Purfleet përmes lumit Thames nga Zeebrugge, Belgjikë. Stafi i Ambulancës zbuloi kufomat në kontejner në Parkun Industrial Ëaterglade në Grays në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.

Kamioni u largua nga porti në Purfleet menjëherë pas orës 01:05. Policia tha që pjesa e përparme e kamionit vinte nga Irlanda Veriore dhe merrte rimorkion nga Purfleet. Eric Van Duyse, një zëdhënës në zyrën e prokurorit federal të Belgjikës konfirmoi nisjen e hetimeve.

Kamioni Angli
Kamioni Angli

Ai tha: “Ne nuk e kemi idenë për momentin se sa kohë ka kaluar kamioni në Belgjikë, mund të jenë orë ose ditë, nuk e dimë”.

Zëvendës shefi i policisë në Essex, Pippa Mills tha se automjeti ishte zhvendosur në një vend të sigurt në Tilbury Docks kështu që trupat e 38 të rriturve dhe një adoleshenti mund të “rikuperohen duke ruajtur dinjitetin e viktimave”.

Kombësitë e viktimave nuk dihen ende dhe policia tha që identifikimi zyrtar “mund të jetë një proces i gjatë”. Policia e Essex më herët kishte deklaruar se kamioni mund të ishte nga Bullgaria, por më vonë thanë se automjeti hyri në Mbretërinë e Bashkuar nga Belgjika.

Një zëdhënës i ministrisë së punëve të jashtme bullgare deklaroi se kamioni ishte regjistruar në vend nën emrin e një kompanie në pronësi të një shtetaseje irlandeze. Ai tha se ishte “gati e pamundur” që viktimat të ishin Bbullgarë.

Richard Burnett, shefi ekzekutiv i Shoqatës së Transportit Rrugor, tha që temperaturat në rimorkion me frigorifer mund të ishin -25 Celsius. Ai i përshkroi kushtet për këdo që mund të ishte brenda si “absolutisht të tmerrshme”.

Kryeministri Boris Johnson deklaroi se ishte një “tragjedi e paimagjinueshme dhe vërtet zemërthyese”. “Unë e di se mendimet dhe lutjet e të gjithëve do të jenë me ata që humbën jetën dhe të dashurit e tyre. Unë po marr informacion të vazhdueshëm. Zyra e Brendshme do të punojë ngushtë me Policinë e Essex për të përcaktuar saktësisht se çfarë ka ndodhur.”

Të enjten, deputetja konservator i Thurrock, Jackie Doyle-Price, tha se duhet të ketë një përgjigje ndërkombëtare.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb