TIRANE – Babai i vogëlushes që humbi jetën pak ditë më parë në Kurbin, për shkak të pneumonisë së rëndë, rrëfen në emisionin “Me zemër të hapur” në “News24”, vështirësitë që kalon çdo ditë me familjen e tij, në baraken ku jetojnë mes mjerimit dhe varfërisë. Kushtet e vështira të jetës brenda barakes të shkatërruar kanë ndikuar që Pamela e vogël të merrte një ftohje të rëndë (pneumoni), të cilës nuk ka mundur t’i mbijetojë. Sadik Jahja rrëfen mes lotëve se tashmë shqetësimi i tij i vetëm është t’i sigurojë jetën vajzës së tij të vogël, të cilën e ka çuar tek prindërit e bashkëshortes, nga frika se mos ftohet në baraken e mjerimit.



“Tani kam hallin e vajzës së vogël, gruan e kam të sëmurë. Për vajzën e vogël kujdeset vjehrra dhe kunatat, nuk ma japin, s’kam ku ta çoj. Bëj apel vetëm për një shtëpi, të rris foshnjën tjetër që ma ka dhënë i madhi Zot. Njërën e humba. Kam kërkuar ndihmën shtetit për banesë dhe një punë. Nuk më dhanë kurrkund një strehim. Asgjë më tepër nuk kërkoj. Unë shkollën elektrike e kam, punoj privat ku të dali puna”- deklaroi Sadik Jahja.
I tronditur nga humbja e vajzës, babai i 7-vjeçares ka akuzuar mjekët e spitalit të Laçit se nuk i kanë dhënë mjekimin e duhur. Kryefamiljari Sadik Jahja deklaroi se kjo ka qenë një tragjedi e paralajmëruar disa herë, për shkak se kërkesës së tij për strehim që i ka drejtuar pushtetit vendor, por nuk i është përgjigjur askush.
“Ka qenë ditë e shtunë në darkë. E ftohur ishte, para një viti e pata çuar në Lezhë, e solla në shtëpi se u bë mirë fort. E kapi ditën e premte, kam dhimbje fyti tha dhe i hypi pak temperaturë. Ditën e shtunë prap ashtu, boll jam mundu me e mbajt ngrohtë, por fati i keq i fëmijës tim. Ditën e dielë u bë shumë sëmurë. Unë dilja çdo të dielë me qit bukën e gojës me mbajt fëmijët. Atë ditë ra shi, u detyrova nuk shkova dhe ndenjta në shtëpi. Pasi u bë pak mirë dola në Laç unë, kur më telefonoi gruaja tha Pamela është shumë sëmurë. E çuam në Laç, nga ora 12 e 30 e deri në orën 6 pasdite e mbajtën shtruar aty. Kur s’je i zoti me e shëru si doktor këtë fëmijë, përse nuk e transportove? E kanë transportu pas katër orësh në Lezhë. Lezha e ka pru në Tiranë në gjendje kome. Temperatura i ka shkuar deri në 42 gradë, ka ardhur në Tiranë me 42 gradë.”- rrëfen mes lotësh Sadik Jahja.
(er.nu/BalkanWeb)


Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb