TIRANE – Partia Demokratike organizoi sot një aksion qytetar para Bashkisë së Tiranës, për të kërkuar drejtësi për Arditin, 17-vjecarin Ardit Gjoklaj, që humbi jetën në Landfillin e Sharrës.

Kësaj proteste iu bashkuan shumë të rinj, qytetarë të Tiranës dhe familjarët e Arditit.
“Unë dua drejtësinë e vëllait tim. Edhe unë kam qënë në landfillin e Sharrës. Kam punuar dy muaj atje. Në Landfill punohej pa siguracion, pa veshje, pa maska dhe pa asgjë mbrojtëse. Unë dua drejtësinë e vëllait tim sepse e kanë masarkuar dhe pastaj e fshehën për të mos treguar”, u shpreh Ardinan Gjoklaj, vëllai i Arditit.

“Mora vesh nga media që para Bashkisë së Tiranës do ishte ky tubim i madh. Kam ardhur ti bëj një thirrje qytetarit të parë të Tiranës si familjar, edhe si shqiptar. Të mos mundohet askush që të përgënjehstrojë këtë rast që na ka ndodhur, ne me 5 vrasje në familje. Mirë që na kanë vrarë djalin, por edhe kanë mbuluar krimin. I kërkoj atij që të përdorë levat shpirtërore, shoqërore, njerëzore, edhe ligjore dhe të zbardhin çështjen, dhe të mos mohohet ngjarja. Çdo gjë e Arditit ndodhet në landfill edhe sot. Fatkeqësia ka qënë e jona dhe i kam kërkuar Erion Veliajt përmes medias dhe i them prapë, të vijë në familje siç më kanë ardhur mijëra shqiptarë nga çdo anë dhe më kanë thënë: të rroni vetë, dhe këtë ta thotë edhe kryetari i familjes së madhe të Tiranës, por jo të spekulojë që jo ka qënë dhe jo ska qënë Arditit në punë se unë kam lëvizur me përgjegjësin dhe drejtorin e ndërmarrjes duke e kërkuar. Kjo gjë na rëndon shumë. Eshtë gjynah se ishte 17 vjeçar, duke punuar për të blerë libra”, tha Vuksan Gjoklaj, xhaxhai i Arditit.


Ndërsa sekretari për Aksionin Qytetar në PD, Ervin Salianji tha se faktet e zbuluara tashmë rreth vdekjes së 17-vjeçarit në landfillin e Sharrës, bëjnë përgjegjës kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Ardit Gjoklaj humbi jetën në 7 gusht. Sipas mjekësisë ligjore 17-vjeçari është vrarë nga ekskavatori pasi në kovën e tij të përparme metalike janë gjetur shenja të shumta gjaku. Vrasja e të riut dyshohet se ka ndodhur gjatë punës në grumbullimin e mbeturinave pas orës 03:30, kur viktima është parë për herë të fundit nga punëtorët e tjerë në landfill.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb