Vdekja e avokatit Leonard Dingo, ngjarje e ndodhur mëngjesin e 21 gushtit ka vënë në lëvizje Dhomën e Avokatisë së Shqipërisë, e cila ka kërkuar që këtij hetimi t’i shkohet deri në fund për të shmangur çdo dyshim dhe keqinterpretim.
Nga hetimet paraprake dhe provat e vendngjarjes, Policia ka konkluduar për një aksident rrugor. I ndjeri Dingo ishte 63 vjeç me profesion avokat dhe anëtar i Dhomës së Avokatisë Durrës. Kreu i Dhomës Prof Doktor Maksim Haxhia ka marrë kontakt direkt me Drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe Drejtorin Vendore Durrës me drejtuesin Skënder Hitaj.
Si drejtues dhe në emër të dhomës, Profesor Haxhia ka kërkuar zbardhjen e veprës penale dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorit. Nga ana tjetër në emër të policisë z.Hitaj ka garantuar se po punohet intensivisht për kapjen e autorit të dyshuar i identifikuar si një 23-vjeçar emigrant.
Në emër të të gjithë kolegëve Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë i shpreh keqardhjen dhe ngushëllimet familjes Dingo.
Për Dhomën e Avokatisë të Shqipërisë
Kryetari
Prof Dr: Maksim Haxhia
(Balkanweb)