DURRES – Prokuroria e Durrësit pohon se ka nisur zyrtarisht hetimet për zbulimin e shkakut të vdekjes së fëmijës 3-vjeçar, i cili ndërroi jetë mëngjesin e 21 nëntorit në spitalin “Nënë Tereza” në Tiranë. Burime zyrtare nga Prokuroria e Durrësit bënë me dije se fill pas denoncimit të familjarëve, të cilët akuzojnë bluzat e bardha për neglizhencë, ky institucion ka nisur hetimet për të zbardhur shkakun e vdekjes së vogëlushit dhe për të vërtetuar pretendimet që kanë ngritur familjarët e këtij të fundit.

Konkretisht, hetimet, sipas prokurorisë, do të fokusohen në marrjen në pyetje të personave të akuzuar dhe atyre që kanë dijeni mbi ngjarjen, ndërsa do të kërkohet kartela mjekësore e fëmijës në të dyja spitalet ku 3-vjeçari është mjekuar, në atë të Durrësit dhe te “Nënë Tereza” në Tiranë. Për t’u shkuar deri në fund pretendimeve të familjarëve, të cilët akuzojnë bluzat e bardha për neglizhencë, grupi hetimor i ngritur për të zbardhur ngjarjen ka kërkuar edhe një grup hetimi nga fusha e mjekësisë, me qëllim përcaktimin e shkakut të vdekjes së 3-vjeçarit. Nga prokuroria mësohet se fëmijës pas vdekjes nuk i është bërë autopsia. Për këtë shkak, grupi hetimor do t’i shtrijë hetimet në disa drejtime, me qëllim për të dalë në një konkluzion të saktë.

“Do merren në pyetje mjekët e Spitalit të Durrësit dhe atij të Tiranës, pasi momentalisht kemi vetëm pretendimin e familjarëve të vogëlushit, të cilët pretendojnë se ka pasur neglizhencë nga ana e bluzave të bardha. Gjithashtu, do të kërkojmë kartelën e fëmijës, e cila do të analizohet nga një grup ekspertësh të fushës së mjekësisë. Ne si prokurori do t’i shkojmë deri në fund këtij hetimi dhe nëse do të rezultojnë të vërteta pretendimet e familjarëve, do të marrim masa kundrejt personave përgjegjës”, pohuan burime zyrtare nga Prokuroria e Durrësit. Ndërkohë, burime nga Spitali Rajonal i Durrësit shprehen se deri në orët e vona të pasdites së djeshme nuk ka pasur kërkesë nga ana e prokurorisë për tërheqjen e kartelës mjekësore të fëmijës 3-vjeçar.
Vogëlushi ndërroi jetë më datë 21 nëntor në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, Tiranë. Fillimisht 3-vjeçari mbërriti në urgjencën e Pediatrisë në Durrës me kollë dhe temperaturë, ndërsa më pas gjendja e tij u përkeqësua dita-ditës, saqë pas dhjetë ditësh ndërroi jetë në Spitalin e Tiranës. Bluzat e bardha pretendojnë se 3-vjeçari mund të ketë pasur ndonjë sëmundje të pashërueshme, por ky pretendim hidhet poshtë nga babai i tij, i cili deklaroi se vogëlushi nuk ka qenë asnjëherë i sëmurë.
(er.nu/panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: