News24 disponon raportonin e Avokatit të Popullit për rastin e vdekjes së Lear Kurtit, ku thuhet se policia nuk ka ndërhyrë në kohë për të shmangur ngjarjen e rëndë. Ngjarja ndodhi më 19 tetor ku i riu ndërroi jetë në duart e Policisë së Shtetit, në ambientet e komisariatit nr.3.

Gazetarja Klodiana Lala në një lidhje live për News24 pohoi se në raport thuhet se punonjësit e policisë kanë qenë të paqartë dhe nuk kanë marrë masa kur ky person është ndjerë keq. Duke iu referuar raportit, policët ishin të paqartë por dhe kontradiktorë se pse ishte shoqëruar ky shtetas.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, shkak i vdekjes së Kurtit është diagnoza Anatomo-Patologjike, e shkaktuar nga mbidozimi (helimim) akut me lëndë narkotike e llojit kokainë. Kujtojmë se familjarët e Lear Kurtit kanë hedhur akuza për policinë, ndërsa pohuan se i riu kishte shenja dhune në trup.

RAPORTI

  • Duke mbajtur në konsideratë natyrën e çështjes, në raste të tilla shërbimet e policisë, mund ta parandalonin këtë ngjarje, në kushtet e veprimeve apo mosveprimeve që përfaqësuesit e rendit publik kishin si detyrim të kryenin. Nisur nga këto deklarime si dhe duke iu referuar nenit 109 të ligjit të sipërcituar, rezulton se punonjësit e policisë kanë vepruar në kundërshtim me dispozitën e mësipërme, sepse nuk mund të bëhet shoqërimi i një personi duke u mbështetur vetëm në dyshime të pa arsyeshme. Sipas dispozitës së cituar, dyshimet duhet të jenë të arsyeshme, për kryerjen e një krimi, për të parandaluar kryerjen e një vepre penale, ose për identifikimin e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime
  • Gjithashtu u krye këqyrja e regjistrit të shoqërimit ku duhet të pasqyrohen rastet e shoqërimit. Gjatë këqyrjes së dokumentacionit të sipër përmendur, rezultoi se shtetasi Lear Kurti nuk ishte i evidentuar në këtë regjistër pas shoqërimit të tij në ambientet e komisariatit. Bazuar në rregullat e shoqërimit të personave në ambientet e komisariatit duhet mbajtur procesverbali i dokumentimit të veprimeve të kryera me personin e shoqëruar pas kryerjes së veprimeve të verifikimit e sqarimit të rastit për personin, nga punonjësi i policisë, si dhe dokumentimi i të dhënave, gjeneraliteteve të shtetasit për kohën hyrjes dhe qëndrimit të tij në Komisariat, cilësinë dhe shkaqet ligjore të kufizimit të lirisë.
  • Me shkresën nr.3858/3 Prot, datë 26.10.2022, kthim përgjigje nga Drejtoria e Përgjigje e Policisë së Shtetit përkatësisht, Departamenti për Sigurinë Publike ka dërguar pranë Institucionit të Avokatit të popullit DVD me pamjet filmike të kamerës së sigurisë të Komisariatit të Policisë nr.3 Tiranë , në DVP Tiranë, për datën 19.10.2022, theksojmë se nga këqyrja e këtyre pamjeve ato nuk janë të plota në të gjitha ambientet e Komisariatit.
  • Nga këqyrja e këtyre pamjeve nga Nd/komisionerët e avokatit të Popullit, pamje filmike të korridorit hyrës të derës kryesore në komisariat vërehet se: Patrulla ka sjellë në komisariat shtetasin Lear Kurti i cili në duar mban pranga, i shtrirë në tokë në gjendje të keqe shëndetësore me dridhje trupi. Në këto pamje duken punonjësit e policisë të cilët përpiqen ti japin ndihmë, shtetasi L.K ka qëndruar në ambientet e komisariati për 4 minuta dhe më tej është marrë nga patrulla e cila edhe e kishte shoqëruar më herët.

Rekomandime

  1. Marrjen e masave për zbatimin efektiv të garancive ligjore të qytetarëve në lidhje me ruajtjen e shëndetit dhe të mirëqenies së tyre në momentet e para të shoqërimit nga Punonjësit e Policisë.
  2. Marrjen e masave të nevojshme nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për të ushtruar kontroll në mënyrë të vijueshme në të gjitha strukturat vendore të policisë lidhur me zbatimin e kritereve të shoqërimit të shtetasve dhe respektimin e të drejtave ligjore të personave të shoqëruar si dhe ushtrimit nga titullarët të kërkesave rigoroze llogarie për zbatim të procedurave në rastet e shoqërimit të personave.
  3. Marrja e masave nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit që çdo shoqërim i personave në ambientet e policisë së shtetit të jetë i arsyeshëm dhe të ketë indiciet e duhura bazuar në ligjin për policin e shtetit i cili ka përcaktuar qarte rastet kur personat shoqërohen në ambientet e Policisë së Shtetit.
  4. Përgjithësimin e këtij rasti në të gjitha strukturat vendore të Policisë së Shtetit, me qëllim mos përsëritjen e shkeljeve të tilla në të ardhmen nga punonjësit e policisë.
  5. Marrjen e masave të nevojshme për zbatimin e detyrimeve ligjore për plotësimin e Formularit të Raportit të Shoqërimit në çdo rast shoqërimi të shtetasve sapo ata sillen në organin e Policisë.

Për shqyrtimin e këtij rekomandimi dhe qëndrimin që do të mbani ndaj tij, lutemi të vihemi në dijeni brenda një afati të përshtatshëm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: