NGA ARMIR MEHAJ* PUKË- Prokuroria e rrethit të Pukës i kërkon RISHM-it riekspertim të minierës se Munellës pas ngjarjes aksidentale të 14 shkurtit ku humbi jetën një minator.
Burime nga Prokuroria e Pukës bënë të ditur se raporti i RISHM-it duhet të ishte më i kompletuar i bazuar ligjërisht dhe me element të detajuar, që do i ndihmonin hetimit për ngjarjen dhe kushtet e sigurisë në minierë.
“Për një hetim të drejtë, të pavarur dhe të paparagjykuar Reparti i Inspektim Shpëtimit të Minierave duhet të përshkruajë në detaje situatën e konstatuar pas ngjarjes por dhe atë tërësore, Akti i Ekspertimit të paraqitur nuk është i detajuar çfarë nuk mund të ndihmojë hetimin lidhur me këtë çështje”, pohojnë burime nga Prokuroria e Pukës.
Të njëjtat burime bënë të ditur se për këtë qëllim organi i akuzës në rrethin e Pukës i ka kërkuar RISHM-it një riekspertim.
Më 14 shkurt minatori Gjovalin Prenga humbi jetën teksa punonte në një prej galerive të kësaj miniere. Për këtë ngjarje u arrestua inxhinieri Tonin Cuku, ndërkohë që RISHM-i kërkoi procedim penal edhe për përgjegjësin e minierës si dhe atë të turnit për shkelje të rregullave të sigurimit teknik. Riekspertimi i RISHM-it pritet të jetë vendimtar për hetimet e mëtejshme lidhur me këtë çështje.


(m.k/BalkanWeb)



Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb