DUBAI – Princi i Dubait, sheiku Rashid humbi jetën pak ditë më parë në moshën 33-vjeçare. Mediat folën për një atak kardiak, por ngritën dyshime për faktin e si një i ri që dukej aq i shëndetshëm ndërroi jetë në një moshë kaq të re.

Por çfarë ka ndodhur në të vërtetë me princin Rashid? Lajmet se ai abuzonte me drogën dhe steroidet kanë qarkulluar prej kohësh në Emirate, madje për këtë arsye ai rezulton të jetë shtruar disa herë në një klinikë rehabilitimi. Mediat kanë ngritur dyshime se ai mund të ketë gjetur vdekjen si pasojë e përdorimit të tepruar të drogës dhe steroideve.

Princi Rashid studioi në një akademi prestigjioze për meshkuj në Nad al Sheba. Më vonë u zhvendos në Britani, për të ndjekur akademinë elitare ushtarake Sandhurst. Kur u kthye në Dubai, mori përsipër detyra shumë të rëndësishme dhe nënshkroi disa marrëveshje të mëdha investimesh. Si babai dhe vëllezërit, edhe ai ishte i apasionuar pas kuajve dhe kishte ngritur një ekip garash me emrin Zabeel Racing.

Në vitin 2008, princi Rashid u zhduk nga jeta publike dhe iu hoq titulli i princit të kurorës, titull të cilin e mori vëllai i tij Hamdan, me argumentin se ishte më i përshtatshëm për të drejtuar.
Por kabllogramet e publikuara nga Wikileaks zbuluan arsyen e vërtetë të heqjes së titullit. Sipas dokumenteve sekrete të CIA-s, Rashidi kishte vrarë një ndihmës brenda në zyrën e Sundimtarit të Dubait, pasi kishte pësuar një krizë për shkak të përdorimit të tepruar të steroideve. Sipas kabllogrameve, princi organizonte festa të shfrenuara me seks, hashash dhe kokainë.

Por sipas agjencisë “Fars News”, princi ka humbur jetën më 4 shtator si pasojë e hedhjes së raketave nga ushtria jemenite në provincën Marib. Në këtë sulm humbën jetën edhe rreth 20 ushtarë të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Prej vitit 2008, Princi Rashid nuk shfaqej në publik, derisa u dha publikisht lajmi për vdekjen e tij. Në Dubai u vendosën tre ditë zie kombëtare për të nderuar princin.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: