TIRANË

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka përcjellë mesazhe ngushëlluese familjarëve,  të afërmve dhe miqve të efektives së Forcave të Armatosura, Zarife Hasanaj, e cila ndërroi jetë këtë të hënë aksidentalisht në Letoni, teksa ishte në mision ushtarak së bashku me kolegë të tjerë nga Shqipëria.

Ajo shkruan se Shqipëria krahas dhimbjes së madhe, në këto çaste po përjeton edhe krenarinë që i japin bijtë dhe bijat në arenën ndërkombëtare flamurit tonë kombëtar.

“Me peshën e dhimbjes sa një mal, mësova lajmin tragjik të ndarjes nga jeta të Zarife Hasanajt, vajzës me uniformën e shenjtë të ushtarakut shqiptar, dhe të plagosjes së major Klodian Tanushit dhe rreshter Julian Kapaj, teksa shërbenin në kuadër të misionit të NATO-s në Letoni!

Duke u bashkuar me dhimbjen e familjes së Zarifes, por edhe me dhembjen e të gjithë Forcave tona të Armatosura, iu shpreh atyre ngushëllimet e zemrës e të shpirtit si nënë e si grua, e lutem që Zoti t’iu japë forcë ta përballojnë dhimbjen e madhe për humbjen vajzës së tyre, e cila me aktin e vet heroik të rënies në krye të detyrës nën flamurin shqiptar në përbërje të forcave të NATO-s, bëhet engjëlli shqiptar i paqes dhe dëshmorja e kombit shqiptar në panteonin e dëshmorëve të NATO-s, duke na dëshmuar të gjithëve se edhe mbrojtja e paqes kalon përmes sakrificash sublime!

Lutem për të e shpirtin e saj. U prehtë në paqe e i ndrittë shpirti! Lutem edhe për dy ushtarakët e tjerë të plagosur që të shërohen sa më shpejt e të kthehen shëndoshë e mirë pranë familjeve të tyre!

Shqipëria e të gjithë ne bashkë me dhimbjen, ndjejmë krenarinë që i japin flamurit tonë kombëtar dhe emrit të Shqipërisë bijat e bijtë e rritur me dashurinë për atdhe e pēr flamur!Zoti i bekoftë! ???”-shkruan Kryemadhi.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: