LETONI
Lidhur me shpërthimin në Letoni, në të cilin humbi jetën nëntetarja shqiptare Zarife Hasanaj ndërsa dy të tjerë u plagosën, ka reaguar edhe ministria e mbrojtjes në Letoni. Në një dalje për mediat, ku u treguan të rezervuar në detaje, Komandanti i Forcave të Armatosura Kombëtare në Letoni, si edhe sekretari i NATO-s, informuan mbi c’ka u regjistrua mëngjesin e sotëm në bazën Adazi.
Ata theksuan se ende është e paqartë se si ka ndodhur shpërthimi i minës, që i mori jetën 32 vjecares shqiptare, ndërsa njoftuan se policia vendase dhe forcat e armatosura kanë nisur hetimet mbi shpërthimin.
Sakaq mësohet se ndërsa hetimi është në proces, është ndërprerë trajnimi në bazën ushtarake në Adazi, derisa të përcaktohen shkaqet e asaj c’ka ndodhi. “Kam urdhëruar një inspektim të plotë në bazë për të gjetur mina ende të pashkelura, deri atëherë nuk do të ketë trajnim”, tha komandant Kalnins.
I pyetur nëse viktimat dhe familja e tw ndjerës do të kompensohen, Kalnins theksoi se kompensimi do të paguhej në përputhje me ligjin shqiptar, por Letonia shprehu gatishmërinë për të transportuar trupin në atdhe.
Zyrtarët letonezë i shprehën ngushëllimet e tyre familjes së ushtarakes që ndërroi jetë, ndërsa e konsideruan ngjarjen një incident tragjik. Komandanti i Forcave të Armatosura të Letonisë tha se kjo nuk është hera e parë që një shpërthim të regjistrohet gjatë trajnimit.
(BalkanWeb)