LEZHE-Familja e 28­-vjeçarit Pëllumb Marnikollaj, i cili ka gjetur vdekjen në rrethana misterioze brenda ambienteve të Policisë greke, është e bindur se djali i saj është vrarë. Pasditen e së shtunës, familjarë të tij kanë bërë kallëzim penal për veprën penale të vrasjes në Policinë e Lezhës, e cila ka nisur hetimet për rastin.
Trupi i Marnikollajt u soll dje nga Greqia dhe i është nënshtruar ekspertizës mjekoligjore në Tiranë, për të zbardhur shkaqet prej të cilave ai humbi jetën, shkruan e perditshmja Panorama. Ende nuk ka përfunduar autopsia, e cila do t’u dorëzohet hetuesve në Lezhë dhe mbi bazën e saj do të kryhen veprimet për zbardhjen e rrethanave të vdekjes së të riut Marnikollaj. Në një komunikim të shkurtër në hyrje të banesës së tij, në Rrilë, Nikoll Marnikollaj, babai i të riut, ka deklaruar se, nëse djali tjetër që kishte shkuar prej disa ditësh në Greqi nuk do të kishte insistuar me forcë për të mësuar fatin e të vëllait, kufoma e tij nuk do të ishte gjetur ende.

“Sikur kërkimet e djalit, Artanit, të kishin zgjatur edhe një ditë tjetër, trupi i Pëllumbit do të zhdukej dhe nuk do ta kishim gjetur dot”, u shpreh babai per Panorama.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb