Një ditë pas ndalimit të dy mjekëve të maternitetit “Koço Gliozheni” të akuzuar për ‘mjekim të pakujdesshëm’ pas vdekjes së 35-vjeçares Aida Çajka, Prokuroria e Tiranës zbardh akuzën ndaj tyre dhe gjithë lëvizjet e gruas shtatzënë. Organi i akuzës deklaron se mjekët Helidon Klosi dhe Dritan Decka pavarësisht gjendjes së rëndë, e kanë dërguar pacienten për një kontroll në QSUT për konsultë kardiologu.

Prokuroria e Tiranës ka nxjerrë urdhër ndalimi për dy mjekë të spitalit “Koço Gliozheni”, pasi, në bazë të materialit hetimor të deritanishëm, ata dyshohet se kanë kryer veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”. Urdhri është ekzekutuar mbrëmjen e djeshme.

Në bazë të veprimeve të deritanishme, të kryera nga Prokuroria e Tiranës, rezulton se:
Në datën 16.09.2016 rreth orës 05.00 në Spitalin-Universitar Obstetrik- Gjinekologjik “Koco Gliozheni” është konstatuar vdekja e pacientes A. C. dhe e fëmijës se saj, seksi femër.

E ndjera A. C., e cila ishte në muajin e 9 të shtatëzanisë, është paraqitur në datë 15.09.2016 rreth orës 22:30 në Spitalin-Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Koço Gliozheni” në gjendje të rëndë shëndetësore e shoqëruar nga të afërm të saj. Në vijim, e ndjera është vizituar nga mjekët obstetër gjinekolog, personat nën hetim H. K., N. C. e D. D., të cilët, pasi janë konsultuar ndërmjet tyre, pavarësisht gjendjes së rëndë të pacientes, e kanë dërguar pacienten për një kontroll në QSUT për konsultë kardiologu.

Pas vizitës së bërë nga kardiologu, e ndjera është dërguar në SU “Shefqet Ndroqi”, për vlerësim nga pneumologu, ku pas vizitës është dërguar përsëri në Spitalin-Universitar Obstetrik-Gjinekologjik,“Koco Gliozheni” në gjendje shumë të rëndë shëndetësore.

Pas mbërritjes në Spitalin-Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Koco Gliozheni” rreth orës 04.00 ne gjendje shume të rëndë shëndetësore, e ndjera i është nënshtruar ekzaminimeve nga ku ka rezultuar se fetusi (fëmija) ishte i vdekur. Nga mjekët është iniciuar një ndërhyrje kirurgjikale, por shtetasja A. C. ka ndërruar jetë gjate kësaj ndërhyrjeje.
Rreth orës 20.00, date 17.09.2016, Prokuroria e Tiranës nxjerr urdhër ndalimi, për shtetasit: H. K., datëlindja 1969, D. D., datëlindja 1971.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb