TIRANË- Po hartohet një Notë Verbale nga Ambasada Shqiptare në Greqi ndaj qeverisë greke për vdekjen në rrethana të dyshimta të të riut lezhjan, shtetasit Pëllumb Marnikollaj.

Gazetari Kujtim Vani u lidh me përfaqësuesit e Ambasadës Shqiptare në Athinë, të cilët shprehen se ambasada është vënë me të gjitha energjitë dhe mënyrat në lëvizje për zbardhjen e të vërtetës për këtë ngjarje të rëndë misterioze.

Ngjarja e rëndë ku humbi jetën në rrethana të dyshimta 28 vjeçari nga Lezha Pëllumb Marnikollaj, po ndiqet me përparësi nga autoritetet e Ambasadës Shqiptare në Athinë, të cilët thonë se, “ jemi të vendosur dhe do ti shkojmë çështjes deri në fund, për zbardhjen e të vërtetës dhe do të kërkojmë me këmëngulje nxjerrjen e fajtorëve para drejtësisë dhe ndëshkimin e tyre”.

Ndërkohë po hartohet edhe një Notë Verbale nga Ambasada Shqiptare për Qeverinë Greke. Dyshohet se ngjarja ka gjasa të ngjajë me rastin Kareli, që i riu të jetë keqtrajtuar nga punonjësit e policisë.

Raportet zyrtare mbi ngjarjen do të dalin në ditët e ardhshme pasi deri të martën institucionet greke janë pushim.

Ndërkohë, ambasadori i Shqipërisë në Greqi, Dashnor Dervishi, i kontaktuar nga Top Channel, ka bërë të ditur se menjëherë pala shqiptare është vënë në kontakte me policinë greke për të marrë më shumë informacione lidhur me atë çfarë i ka ndodhur 29­-vjeçarit shqiptar.

Dervishi ka deklaruar se e gjithë skena është filmuar nga një kamera sigurise që ndodhet në dhomën ku ka ndodhur ngjarja, pamjet e të cilës ata ia kanë kërkuar autoriteteve greke, por që u është thënë se
do t’u vihen në dispozicion në një moment tjetër, pasi ngjarja është ende në hetim. Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe Avokati i Popullit, Igli Totozani, i cili i ka dërguar një letër homologut grek duke i kërkuar të hetojë këtë rast.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: