VLORË- Gjykata e Shkallës së Parë e Vlorës dje ka vendosur masën e sigurisë 20 ditë burg për biznesmenin elbasanas, Fatmir Kuçi, i cili akuzohet për vrasje nga pakujdesia të turistit rus, Denis Kaiumov.

Ngjarje kjo e ndodhur mesditën e së mërkurës në plazhin e Livadhit në Himarë. Sipas policisë dhe prokurorisë, 44-vjeçari ka përplasur me skaf shtetasin Kaiumov nga Shën Petërburgu. Vlerësimi i masës së sigurisë u bë në spitalin e Vlorës, ku Kuçi ndodhet i shtruar që prej të premtes, pasi ka shfaqur probleme me zemrën.

Mësohet se prokurori i çështjes, Arjan Xhaferraj kërkoi 30 ditë burg për Kuçin, ndërsa gjyqtarja Atalanta Zeqiraj vendosi masën 20 ditë burg për biznesmenin. Të pranishëm në Gjykatën e Vlorës kanë qenë dhe përfaqësues të ambasadës ruse, të cilët e kanë ndjekur me seriozitet rastin, që nga momenti kur ndodhi ngjarja.

Prokurori i çështjes, Arjan Xhaferraj kërkoi 30 ditë burg për biznesmenin Fatmir Kuçi, ndërsa gjyqtarja Atalanta Zeqiraj vendosi masën 20 ditë burg ndaj tij. Kërkesa e prokurorit është motivuar me faktin se organi i akuzës është në pritje të akteve të ekspertimit mjeko-ligjor, atij biologjik, marrjen e të dhënave nga pajisja GPS mbi lëvizjen e mjetit lundrues, këqyrjen e imtësishme të mjeteve lundruese në pronësi të 44-vjeçarit dhe si dhe pyetjen e dëshmitarëve të tjerë mbi ngjarjen.

Ndërkohë, mësohet se pala mbrojtëse i qëndroi versionit se biznesmeni nuk është autori i vrasjes nga pakujdesia të turistit, por e ndihmoi atë teksa e pa të gjakosur në det. Edhe vetë i pandehuri ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje se pranë tij në ato momente ka pasur edhe mjete të tjera lundruese dhe se pas tij ka qenë edhe një mjet gomone, të cilit i ka bërë me shenjë.

Sipas Kuçit, personi që e drejtonte gomonen ka qëndruar paralel me skafin dhe një person nga bordi i gomones është hedhur në det bashkë me të dhe kanë hipur në skaf personin e plagosur. Priten hetimet e mëtejshme për të hedhur dritë mbi ngjarjen e ndodhur pak ditë më parë. Mbi Fatmir Kuçin rëndon akuza e “Vrasjes nga pakujdesia” dhe rrezikon që të dënohet nga gjobë deri në 5 vite burg.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb