TIRANE – Gjykata e Apelit ka nxjerrë nga qelia biznesmenin Fatmir Kuçi, i dyshuar për ngjarjen ku mbeti i vdekur turisti rus në Himarë, duke caktuar ndaj tij masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Mësohet se gjykata urdhëroi lirimin e Kuçit, me argumentin se nuk ka prova që të vërtetojnë se turisti u dëmtua nga skafi i biznesmenit, në zonën e Potamit në Himarë.

Gjykata e Apelit argumenton se lirimi i Kuçit nuk përbën rrezikshmëri për arratisje, pasi ai nuk i është shmangur ndonjëherë drejtësisë dhe ka qenë i gatshëm për të zbardhur të vërtetën.

Biznesmeni Fatmir Kuçi pretendon se e ka gjetur të plagosur në det turistin rus dhe i ka dhënë ndihmën e parë, duke e nxjerrë në breg me skafin e tij.

Në argumentet që avokati i Kuçit renditi për të kërkuar lirimin e tij ishin: “Nuk jemi para gjendjes së flagrancës, pasi personi nën hetim nuk u kap në kryerje e sipër të veprës penale. Nga aktet rezulton se ky shtetas, pasi konstatoi të dëmtuarin në det, ka ndaluar mjetin e tij, e ka kthyer dhe i ka vajtur në ndihmë, si dhe u ka kërkuar ndihmë personave që ndodheshin në një mjet lundrimi mbas tij dhe së bashku me një tjetër person, kanë mundur ta hipin në mjetin e tij të dëmtuar dhe ta sillnin në mol. Ai ka lajmëruar zv.shefin e kufirit të Himarës, Hekuran Muça, për ngjarjen. Policia e Himarës nuk i ka vajtur në ndihmë. Ka lajmëruar ambulancën vetë, e ka zbritur të dëmtuarin me ndihmën e personave të tjerë për ta nisur në qendrën shëndetësore të Himarës dhe më pas është interesuar për gjendjen e tij. Vetë Kuçi ka shkuar në postën e Himarës për të dhënë sqarime, i ka kërkuar të shkojë në vend për të parë mos kishte të tjerë të dëmtuar, të merrte njollat e gjakut e shenja të tjera të nevojshme të hetimit”.

ARRESTIMI I KUCIT
Biznesmeni nga Elbasani, Fatmir Kuçi u arrestua më 4 gusht nën akuzën e ‘Vrasjes nga pakujdesia’. Sipas njoftimit të policisë, “arrestimi i tij u bë pasi në 3 gusht në orën 11:00, në zonën bregdetare të quajtur “Livadh” i Himarës, ky shtetas duke drejtuar mjetin lundrues tip skaf-plastik me mbishkrimin “Black Arrow”, dyshohet se ka dëmtuar aksidentalisht shtetasin Rus Denis Kaiumov., i cili ka gjetur vdekjen për shkak të plagëve të marra, në spitalin e Himarës”.

Policia ka sekuestruar dhe konfiskuar 2 mjete lundruese në përdorim dhe në pronësi të Kuçit; mjetin lundrues skaf-plastik me mbishkrimin “Black Arrow”, 11.73 m i gjatë dhe 3.20 m i gjerë, me 3 motorë – 275 KF secili dhe mjetin lundrues motor-deti me emrin “Viktoria-3”, pa dokumentacion përkatës.

PAMJET E SKAFIT
Pak ditë më parë, mediat publikuan pamjet, ku dukej qartë skafi i drejtuar nga Kuçi teksa i afrohej molit në Himarë, bashkë me turistin rus të gjymtuar nga një mjet lundrues. Menjëherë trupi u fut në një ambulancë dhe u dërgua në spital, por shtetasi rus Denis Kaiumov nuk mundi të mbijetonte.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: