TIRANE- Policia Kufitare ka ndërmarrë një operacion në shkallë të gjerë për bllokimin e mjeteve të lundrimit pa dokumentacion e që shkelin perimetrin e sigurisë në plazhe duke rrezikuar jetën e pushuesëve, pas ngjarjes së rëndë ku një turisti rus iu prenë gjymturët nga një skaf, e për pasojë humbi jetën.

Mësohet se nga fillimi i sezonit e deri tani janë bllokuar 20 mjete lundrimi, ndërsa vetëm ditën e sotme janë bllokuar 7 mjete lundrimi.

“Policia Kufitare vijon punën për evidentimin dhe bllokimin e atryre mjeteve lundruese që janë pa dokumentacion ose që nuk respektojnë rregullat e lundrimit si dhe lundrojnë në zona që janë të ndaluara ku pushuesit bëjnë plazh. Prej 1 qershorit e deri më datën 3 gusht Policia Kufitare ka bllokuar 13 mjete lundruese nga të cilat 1 skaf, 2 gomone dhe 10 motorrë uji. Njëkohësisht në kuadër të masave për sigurinë në plazhe Policia Kufitare iu ka dërguar 20 shkresa bashkive qe kanë në juridiksion plazhe për marrjen e masave me qëllim krijimin e perimetrit të sigurisë. Po në këtë kuader gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar 6 takime me përfaqësues të pushtetit vendor”,- thuhet në njoftimin e policisë kufitare.

“Prej mëngjesit të sotëm Policia Kufitare ka nisur një operacion në të gjitha plazhet e vendit për bllokimin e të gjitha mjeteve lundruese që janë pa dokumentacion apo që shkelin perimetrin e sigurisë duke rrezikuar jetën e pushuesëve. Prej mëngjesit e deri në këto momente janë bllokuar 7 mjete lundruese, nga të cilat 1 gomone dhe 6 motorr uji”,- thuhet më tej.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb