Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me vdekjen e 4 turistëve rusë, të cilët u gjetën të pajetë në rrethana ende të paqarta në një hotel në Qerret të Kavajës.
Gazetarja Klodiana Lala raportoi në një lidhje direkte për ‘News24’ se prokuroria e Kavajës i ka kërkuar ndihmë për kryerjen e analizave të ujit dhe nivelit të klorit të hedhur në pishinë, një kompanie private me licensë ndërkombëtare. Kërkesa erdhi pas faktit se ISHP e ka cilësuar problematike marrjen e provave, për të kryer edhe analizat, pasi sipas këtij institucioni të dhënat nuk ishin marrë në mënyrën e duhur.
Dyshimet janë se viktimat, Natalia Burenkova, 58 vjeçe, Sergei Burenkov, 60 vjeç, Nikita Belousov, 37 vjeç dhe Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe mund të kenë gjetur vdekjen për shkak të klorit të përdorur në pishinë. Por duke qenë se trupat e pajetë i janë dorëzuar familjarëve dhe u nisën nga ambasada ruse përmes një fluturimi të rregullt, lihet të kuptohet se në këtë shtet do të kryhet një tjetër hetim paralel. Ngjarja e rëndë ka sjellë përplasje mes institucioneve, ISHP-së dhe Prokurorisë.
(BalkanWeb)