Nga: KLODIANA HAXHIAJ
DURRES – Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka marrë në mbrojtje ekipin mjekësor të akuzuar për neglizhencë pas vdekjes së 35-vjeçares shtatzënë me fëmijën e saj 9 muajsh në bark. Nga qyteti i Durrësit, ministri deklaroi se ndaj gruas janë kryer të gjitha shërbimet e duhura mjekësore, dhe është konkluduar se vdekja ka ardhur si rezultat i dëmtimit të shpretkës, një rast i rrallë ky.

Beqaj ka hedhur poshtë të gjitha deklaratat e të afërmve të nënës shtatzënë, të cilët akuzuan mjekët për sorollatje, për mungesë të oksigjenit në autoambulancë, dhe për mbylljen e urgjencës së maternitetit për 20 minuta. Ministri nuk ju përgjigj pyetjes se përse urgjenca e maternitetit “Koço Gliozheni”, ka qenë e mbyllur për 20 minuta ndërsa gruaja shtatzënë ishte dërguar aty për ndihmë.

“Është ngjarje tragjike dhe e dhimbshme. I shpreh keqardhje dhe ngushëllime familjes. Ka vdekur një nënë e ka lënë dy fëmijë jetimë. Ministria nëpërmjet dy komunikatave e ka sqaruar ngjarjen se ka rrjedhur. Unë konfirmoj se deri tani sistemi ka funksionuar. Edhe organet e drejtësisë janë duke punuar për të zbardhur këtë çështje. Ju konfirmoj se situata ka qenë e komplikuar. Mjekët kanë qenë aty. I janë kryer të gjitha ekzaminimet imazherike dhe laboratorike. Ka patur hemorragji nga një dëmtim në shpretkë. Ne si ministri përtej organeve të drejtësisë po bëjmë punën tonë për të zbardhur deri në fund të vërtetën e sistemit. Në këtë situatë tragjike nuk duhet të na udhëheqin emocionet e nuk duhet të hedhin direkt barrën tek mjekët pa dalë konkluzionet. Të gjitha pajisjet dhe autoambulancat kanë patur të gjitha mjetet e nevojshme për të transportuar atë paciente në atë gjendje të rëndë.”- u shpreh ministri Beqaj.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: