Historia që u trajtua ditën e sotme në emisionin “Me Zemër të Hapur” të autores dhe moderatores Evis Ahmeti, në News24, kishte të bënte me një 62-vjeçare, Milena Nikolli nga Thumana, nënë e tre fëmijëve e cila i ka dërguar një letër redaksisë së emisionit ku shprehet me dhimbje dhe urgjencë që të bëhej pjesë e studios për të rrëfyer kalvarin e gjatë të problematikave të saj.

62-vjeçarja jeton midis jetës dhe vdekjes, ajo shprehet se është një gjyshe që nuk ka gëzuar kurrë mbesat dhe nipërit, pasi në banesën e saj nëse i merr për të jetuar, iu rrezikohet jeta. 62-vjeçarja shprehet se është e braktisur dhe e mashtruar nga institucionet.

Gruaja thotë se ka bërë edhe grevë urie por sërish nuk ka gjetur mbështetje nga autoritetet. Protesta e saj vitin e kaluar para ndërtesës së Bashkisë së Krujës tërhoqi vëmendjen e opinionit publik, por atëherë kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi njoftoi se kishte gjetur zgjidhjen për rindërtimin e banesës.

“Më thanë se do udhëtonte kryetari i bashkisë në Ministri për të marrë fondin. U ktheva në banesë, nuk prita 2 javë, por 1 muaj, ishte mars-prill, më tha në qershor do jetë fundi për ty. T’i dhurosh besimin dikujt është t’i japësh një armë dhe më atë armë ose të të vrasë ose të të shpëtojë”, thotë ajo. Milena nuk e fsheh dot trishtimin dhe zhgënjimin, por ajo bën edhe një paralajmërim të fortë se ka menduar t’i japë fund jetës. “Vdekjen time do e shihni live, do ua bëj dhuratë”, shprehet ajo, nëse nga institucionet nuk do të ketë reagim për t’i dhënë ndihmë në mënyrë që e moshuara dhe familja e saj të ketë një strehë mbi kokë. “Unë jetoj në gërmadha, na rrezikohet jeta”.

“Më mirë të bëhem varr se sa të rri e nënshtruar. I bëj thirrje kryetarit të Bashkisë, vdekjen time do ta shohë live, nuk dorëzohem, nuk tërhiqem. Aty në Bashki do ua bëj vdekjen time dhuratë, live”, paralajmëron gruaja.

Pjesë nga intervista

Evis Ahmeti: 2 muaj pasi bashkëshorti doli në pension ndërroi jetë nga një sëmundje fatale. Si u përjetua kjo humbje?
Milena Nikolli: U përjetua shumë keq si nga unë ashtu edhe nga fëmijët. Mbesa gjithashtu, është 21 vjeçe, e kishte rritur vetë. Brenda 7 ditëve ndërroi jetë. Banesa është e dëmtuar DS4.

Evis Ahmeti: Si e përjetoi daljen në pension?
Milena Nikolli: Ishte shumë i lënduar sepse vuante nga zemra, nga probleme shëndetësore. Shkoi edhe në Itali për kurim, por edhe atje nuk gjeti derman. 1 javë para tërmetit ishim të shokuar, të tronditur.

Evis Ahmeti: Momentin e tërmetit, na tregoni?
Milena Nikolli: Ishte moment fatal si për ne ashtu edhe për të tjerë. Ishim të gjithë në shtëpi, fëmijët, çunat, gocat. Dolëm. Kemi qëndruar 10 ditë në plastmas. Pas 10 ditëve na është ofruar një çadër, çfarë binte jashtë hynte brenda se ishte prej lecke. Pastaj ikën çunat, dhe ngelëm tre gra aty. 2 pjesëtarë të familjes së bashkëshortit humbën jetën nga tërmeti, nëna 70-vjeçare dhe mbesa 8-vjeçare, goca e hallës së bashkëshortit ajo ka qëndruar natë e ditë pa u shkëputur fare, e kam pikë në shpirtë, mundi të shpreh edhe shprehjen e saj për bashkëshortin tim: “Nuk kam kufomë për të bukur”. Pas 7 ditësh bashkë me mbesën e saj mbeti nën rrënoja. E kam peng në shpirtin tim. Ne ishim akoma të trishtuar, 40 vite s’kisha përjetuar zi, përveç vdekjes së vjehrrit. Djalin e madh e kam patur në Afganistan, në mision, jeta e tij ka qenë në teh.

Për riparimin e banesave dikujt i jepet mundësia, dikujt më shumë, dikujt më pak. E kemi ndërtuar me krahët tonë dhe të fëmijëve. Në 1998 kemi hyrë brenda në shtëpi. Mundësitë kanë qenë zero, gjithçka e kemi bërë me krahët tanë. Nga dëmtimi i kockave mbeta 1 vit e paralizuar. Në këtë gjendje u detyrova të kërkoj azil në Europë. Me dy paterica u nisa në Gjermani më janë gjendur si me strehim, ushqim, por u ktheva pa paterica. Loti për mua është dorëzim, është dështim, s’dua të shoh lot në sytë e mi. Por ka ndonjë moment që edhe… Dëmtimi i shtëpisë është DS4 dhe duhet të përfitoj 34 mln lekë. Por nuk kam marrë asnjë lek.

Më mirë të bëhem varr se sa të rri e nënshtruar. I bëj thirrje kryetarit të Bashkisë, vdekjen time do ta shohë live, nuk dorëzohem, nuk tërhiqem. Aty në Bashki do ua bëj vdekjen time dhuratë, live.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb