Aktorja Emilie Decen ndërroi jetë dje, të dielën, në moshën 43-vjeçare, në spitalin Gustave Roussy, në periferi të Parisit, për shkak të komplikimeve nga një kancer i rrallë, njoftuan për Agence France-Presse familja e saj dhe agjentja e saj artistike Danielle Gen. Ajo kishte zbuluar në tetor 2023 se vuante nga kanceri endokrin, i cili ishte diagnostikuar dy muaj më parë dhe që atëherë ishte detyruar të qëndronte larg xhirimeve dhe skenës së teatrit.

“Çfarë lufte e ashpër!” Dhe nuk e zgjedhim ne këtë”, shkroi aktorja belge përmes Instagramit në 4 shkurt në Ditën Botërore të Kancerit.

Në dhjetor, ajo i tha TF1 se po luftonte me një sëmundje gjithnjë e më agresive, që do të thoshte se ajo “nuk do të jetonte aq gjatë sa ishte parashikuar”. Ajo po përballej me një rikthim të sëmundjes pas një periudhe të stabilizuar.

Kanceri i saj ishte një tumor malinj në gjëndrën mbiveshkore – prognoza është më e keqe sa më i madh të jetë tumori.

E lindur më 29 gusht 1981, Emilie Decen u zbulua për publikun vetëm në moshën 18-vjeçare, duke luajtur në filmin e vëllezërve Dardenne “Rosetta”, i cili i dha asaj çmimin për aktoren më të mirë në Festivalin e Filmit në Kanë 1999.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: