Oliviero Toscani, fotografi i njohur italian – i famshëm për reklamat e tij provokuese të markës së veshjeve “Benetton”, vdiq sot në moshën 82-vjeçare.

Presidenti i Toskanës, ku Toscani jetoi për herë të fundit, e nderoi atë si “mjeshtër i fotografisë dhe shpirt i lirë”.

Toscani, prej kohësh ka qenë nje guru i reklamave të “Benetton” dhe organizoi disa fushata reklamuese – të diskutueshme – gjatë lulëzimit të kompanisë së veshjeve në vitet 1980 dhe 1990.

Puna e tij reklamuese për “Benetton” përfshinte një fotografi të një burri që po vdiste nga SIDA, të një murgeshe dhe një prifti duke u puthur, të një gruaje të dobësuar që vuante nga anoreksia dhe një seri portretesh të të burgosurve amerikanë të dënuar me vdekje.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Kompania – me qendër në Ponzano Veneto, Itali, e themeluar në vitin 1965 – i dha fund bashkëpunimit me Toscani në vitin 2020 – pasi ai bëri deklarata mospërfillëse për shembjen e urës në qytetin verior italian, Gjenovë, që shkaktoi vdekjen e 43 personave në 2018.

Në gusht, ai tregoi në një intervistë se vuante nga amiloidoza – një sëmundje e rrallë që shkaktonte dëmtimin e organeve. Ai tha se kohët e fundit i ishte nënshtruar një trajtimi eksperimental.

Në vitin 2014, Toscani vizitoi Tiranën – me rastin e Ditëve të Fotografisë Italiane – një ngjarje e organizuar nga Instituti Italian i Kulturës dhe EJAlbum.

Toscani ka punuar për revista të njohura, duke përfshirë “Elle”, “Vogue”, “L’Uomo Vogue” dhe “Bazaar”.

Në të njëjtën kohë, ai ka punuar si fotoreporter në gazetën “Corriere della Sera”.

Ai është krijues i imazheve dhe fushatave reklamuese për kompani të ndryshme të njohura.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb