Aksi i Bulevardit Zogu i Parë, nga Sheshi “Skëndërbej” te ish-Stacioni i Trenit, do të rikonstruktohet për tú kthyer në një nga zonat komerciale moderne të Tiranës. Kryebashkiaku Erion Veliaj mori pjesë sot në mbledhjen e Këshillit Ekonomik të Tiranës, ndërsa prezantoi disa nga nismat ekonomike që pritet të impaktojnë direkt ekonominë e qytetarëve, bëri të ditur se një nga zonat që do të marrin zhvillim në 4 vitet e ardhshme është edhe Bulevardi Zogu i Parë. Përveç rikonstruksionit që do të pësojë, e gjithë kjo rrugë do të kthehet në një zonë ku lokalet, firmat e njohura të modës apo të linjave të veshjeve, do të kenë filialet e tyre për ta kthyer në zonë të ngjashme me rrugët komercialet në qytete të ndryshme të Europës.

“Ne duam ta kthejmë në një distrikt shopping-u. Kjo është arsyeja pse duam të fillojmë investimin, që mos të dallojë cilësia nga sheshi “Skënderbej” deri tek Bulevardi i Ri, ku ka qenë stacioni i trenit. Tirana ka shumë atraksione në qendër, por nuk ka mjaftueshëm hapësira le të themi ajo që quhet “Ëalking street” pra rruga këmbësore, ku ti bën shooping-un dhe kalon kohë, ke të gjithë restorantet. Duam që i gjithë Zogu i I të kthehet në një hapësirë të tillë komerçiale, atraktive. Kush është në ato linja biznesi, si restorantet apo dyqanet e modës, do t’ju këshilloja sa s’ka filluar investimi, ky është momenti ideal për të investuar tek Zogu i I, duke qenë se duam ta punojmë me një cilësi të jashtëzakonshme atë investim. Në fakt, o do ta bëjmë siç duhet, që të jetë aty 100 vjet, ose nuk do të bëjmë më arna në këtë qytet”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Një tjetër nismë dhe që do të sjellë efekte pozitive si për sipërmarësit ashtu edhe për punësimin në Tiranë do jetë edhe krijimi i Zonës së Lirë Ekonomike. Veliaj bëri të ditur se procesi i aplikimi pranë qeverisë shqiptare në përfundim dhe shumë shpejt do t’i hapet drita jeshile nisjes së punës për këtë projekt zhvillimor të biznesit.

“Jemi në prag të shpalljes dhe të aplikimit pranë qeverisë për atë që quhet zona ekonomike e Tiranës, ose me akronimin në anglisht TEDA. Kemi identifikuar një zonë 60 ha në Kashar. Po përfundojmë plan-biznesin për zonën e lirë ekonomike të Kasharit. Kemi parë disa nga modelet në Rumani, Maqedoni. Them që kemi marrë më të mirat nga këto modele”, deklaroi Veliaj.

Po ashtu ai evidentoi edhe projektin tjetër, atë të krijimit të tregut të ri agro-ushqimor i cili po ashtu do impaktojë pozitivish biznesin, fermerët, bujqësinë dhe do të rrisë punësimin.

“Kemi identifikuar disa prona në zonën e Lundrës, pra në anën tjetër të qytetit, kryesisht për të ofruar shërbime të zonës që është më pjellore, lugina e Erzenit. Pra të gjithë ish komunat duke filluar nga Krraba, Petrela, Bërzhita, Farka, pastaj vazhdon Baldushku dhe Vaqarri, pra një zonë në Luginën e Erzenit afër terminalit të Lundrës ku ne do të ngremë tregun tonë agroushqimor për ta thyer këtë monopol, edhe për t’u siguruar që fitojnë më shumë duke mos paguar taksat hyrëse në tregjet e shumicës fermerët tanë, por për t’u siguruar që edhe konsumatori ka një produkt më të lirë se sa një produkt i mbingarkuar me taksa jo shtetërore dhe artificial mbi produktet që e çojnë pastaj një mall që rritet, 1 km në vijë ajrore nga çdo shtëpi e Tiranës të shitet sikur sapo ka ardhur nga Tokio. Kjo s’ka sens. Kështu që, morëm një vendim në Këshillin Bashkiak të fundit, ku kemi krijuar Agjencinë tonë që quhet Tirana Agro, e cila do të jetë dhe operator i pikës së grumbullimit dhe tregut ushqimor.Ambicia jonë është që përveçse të jetë një alternativë për tregun e shumicës agro, duam që gjithashtu të jetë një agregator biznesi”, u shpreh Veliaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: