TIRANË- Kandidati i maxhorancës për metropolin shqiptar, Erion Veliaj është takuar sot me banorë të njësisë 3, me të cilët ka zhvilluar një diskutim dhe ka ndarë shqetësimet e qytetarëve. Veliaj është prezantuar nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla e cila tha se e ka njohur dhe adhuruar Erionin

“Sa herë që flas për Erion Veliaj nuk resht dot së foluri, sepse kam kohë që e kam njohur, e kam njohur dhe adhuruar që kur ishte zëri i qytetarit. Erioni lë gjurmë, Erioni është kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës. Në këtë rrugëtim do të jemi bashkë, për të mundësuar qeverisjen qendrore por edhe vendore, për të punuar fort dhe për të lënë mënjanë ndasitë”, tha Nikolla.

Ndërsa vetë kandidati socialist akuzoi kundërshtarin e tij, Halim Kosova se po bën një fushatë “gjasme” dhe sipas tij, kështu do të bëjë edhe punën. Veliaj ka akuzuar edhe kreun aktual të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha se e ka lënë qytetin në harresë sepse nuk jeton këtu por në televizor.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu sepse aq shumë flet Lindita për këtë komunitet, saqë mezi prisja të isha këtu që ta provoja energjinë fantastike të njësisë 3, që është energjia e fitores sonë. Më thanë pse lodhesh kot, ço një kasetë siç bën ai tjetri. Por ne do ti takojmë njerëzit. Parimi ynë është ky nëse fushatën e bën me gjasme, sigurisht që do ta bësh me gjasme edhe punën. Unë e di që 4 vite ky qytet është lënë në harresë. Ky është një moment për të dëgjuar. Jemi këtu që të marrim shënime. Ajo që dua të dëgjoj është çfarë nuk funksionon. Kemi 50 ditë për ta kthyer Tiranën në drejtimin e duhur, për ta kthyer nga bashkia më e falimentuar në bashkinë më të suksesshme. Rrugët e kësaj lagjeje të shqepura sepse ke një kryetar bashkie që as nuk jeton këtu, por jeton në televizor”, tha Veliaj.

Më pas ai ka dëgjuar banorët, ku një qytetarë është ankuar për mungesën e pastrimit të qytetit dhe qentë e rrugës.

“Hurma Fezga, ti fole aq bukur, duhet të jesh hurmë farëzezë. Ky është një nga qytetet më zhuls në Shqipëri. Të gjithë ne vijmë nga familje të varfra ose të mesme, asnjë prej nesh nuk është aristokrat por edhe të varfrit e mbajnë pastër shtëpinë. Ka 560 punëtorë bashkie që nuk pastrojnë. Sikur të ishin vullnetarë, një ditë të diel të kishin dalë e kishin pastruar pallatin e tyre. Por kur jeton në Holandë dhe nuk e jeton këtë realitet, kur je tërë kohën në majë të avionit, sigurisht nuk e kupton se ky është një qytet zhuls. Ata nuk janë shqetësuar as për njerëzit dhe as për qentë”, tha Veliaj.

Më pas një tjetër qytetare është ankuar për mungesën e kontrollit në tregje dhe shitësit ambulantë, ndërsa Veliaj tha se në Bashki ekziston një strukturë për mbikëqyrjen e tregjeve por që nuk funksionon.

“Kur macja është në Holandë, sigurisht që minjtë bëjnë kërdinë nëpër tregje. Dëshmitë e qytetarëve: Jo vetëm që nuk bëjnë punën por edhe marrin ryshfet”, tha Veliaj.

Gjatë diskutimeve me qytetarët, Veliaj ftoi në debat kundërshtarin e tij Halim Kosova, në mënyrë që sipas tij të dëgjohet edhe mendimi i tij. “Të vijë dr. Halimi dhe të bëjmë një debat, mirë është ta dimë çfarë mendon ai”, tha Veliaj.

Kandidati i së majtës tha se “Me të njëjtën logjikë që kemi qeverisur si qeveri do qeverisim edhe në bashki”. “Kur kemi bërë aq shumë gjëra për 18 muaj, imagjino çfarë mund të bëjmë për 4 vite”, tha ai.

Veliaj i ka bërë thirrje qytetarëve të votojnë ose ashtu siç u shpreh ai “ti japin një dorë” për ta çuar Tiranën në drejtimin e duhur. “Partinë mos e ndërroni por qyteti duhet çuar në drejtimin e duhur dhe nga bashkia e fundit ta çojmë të parën, ashtu siç e meriton”, tha Veliaj.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb