Kandidati i koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane” për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka vijuar takimet e tij elektorale me prezantimin e investimeve të realizuara në Njësinë nr. 2 në kryeqytet si dhe projektet e tjera që presin të zhvillohen në 4 vitet e ardhshme.

Gjatë fjalës së tij ai theksoi se Tirana në këto 4 vite ka ndryshuar që nga sheshi “Skënderbej” e në çdo lagje të saj, ndërsa u shpreh se administrata e mëparshme nuk arrinte dot të rregullonte edhe orën e Kullës së Sahatit. Më tej, ai u shpreh se të njëjtët politikanë që për 4 vite me radhë fjetën gjumë në krye të Bashkisë së Tiranës, sot duan të pengojnë edhe gjithë Shqipërinë të ndryshojë.

“Si mund të jetë një rob kryetar bashkie dhe të mos punojë Sahati, është tre metra nga zyra, tre metra nga dritarja? Vjen një delegacion, hap dritaren, nuk punon sahati, kalon gjithë Tiranën, s’punon sahati. Pyetja që kam unë është, kur nuk bëtë dot kaq, çfarë mund të bësh për dikë në Sauk, çfarë mund të bësh për dikë te Depo e Ujit? Dhe kur mendon një gjë të tillë, ti thua po patjetër, dhe gjërat e vogla kanë rëndësi. Nuk është puna tek aftësia për ta rregulluar Sahatin, por është puna si nuk ta pret mendja. Do të thotë kur robi nuk ftillohet të mbajë shtëpinë e vet, dhe të rregullojë shtëpinë e vet, çfarë mund të bëjë për Tiranën. Ndaj edhe unë jam sot shumë krenar, se jo vetëm Tirana rregulloi orën dhe kapi orën, por sot nuk po ndalet që të kapë edhe kohën e humbur ato katër vitet e gjumit. Po edhe pse kanë kaluar katër vite ka akoma njerëz që u ka ngecur ora. I keni vënë re që thonë në 30 qershor do ta bëjmë si ’97-ën, çfarë tregon kjo? Që i ka ngecur ora në ‘97-ën, nuk kanë arritur dot mendërisht ta kalojnë atë fazë. Mendojnë që sot në vitin 2019 ka akoma shqiptarë që janë ende gati të futen në depon e armëve dhe të japin jetën për partinë e tyre. A e mendoni diçka të tillë. Ju ka ngecur ora. Fati i madh është që populli i djathtë dhe i majtë ka acancuar më shumë se këto parti. Dhe i ka iku ora drejt perëndimit, më shumë se këtyre partive”, tha Veliaj.

Veliaj u shpreh se opozita nuk ka asnjë mundësi që të fitojë në Tiranë dhe në Shqipëri, ndaj dhe sot përpiqet që të pengojë zhvillimin dhe të kërkojë pushtetin në rrugë të tjera.

“Ju e dini që ne kemi dy vjet që në Tiranë jemi mbi 70% dhe ata kanë 0 shanse që të fitojnë në Tiranë, jo një dy parti, por të gjithë partitë e pemthymve të bëhen bashkë, ata s’kanë asnjë shans të fitojnë në Tiranë”, tha Veliaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb