Në emisionin Open në News24 është diskutuar lidhur me thirrjen e Erion Veliajt, Kryebashkiakut të Tiranës, në SPAK. Veliaj dëshmoi për mbi 5 orë në SPAK, ndërsa në një sqarim para Këshillit Bashkiak, tha se një qytetar anonim, që nuk ekzsiton, kishte bërë një letër anonime. Gjithashtu në të njëjtën ditë në SPAK ishte edhe Belind Këlliçi.
“Ju detyrohem një sqarim për bashkëpuimin dhe vizitën time në SPAK sot para dite. Jam informuar që jam denoncuar në mënyrë anonime nga një qytetar që quhet Nesti Angoni i cili është një personazh që nuk ekziston për të na kthyer mallin e letrave anonime. Nesti Angoni nuk ekziston. Të gjithë e dimë kë përfaqëson ky emër, mentaliteti dhe çfarë kulture linçuese”, tha Veliaj.
Ndërsa Këlliçi tha se ishte pyetur mes të tjerave edhe për foton me Donald Trump.
Analisti Fatos Lubonja tha se fakti që Erion Veliaj, Kryebashkiak i Tiranës, dhe Belind Këlliçi, drejtues politik i PD-së në kryeqytet, paraqiten në SPAK në të njëjtën ditë kërcasin sepse duket sikur SPAK po tenton të tregojë se po godet nga të dyja palët.
“Tani kemi faktin se dy liderë të opozitës janë goditur, ndërsa në anën tjetër, kemi Kryeministrin që kanë frikë t’i përmendin emrin. Çfarë do të tregojë SPAK me këtë thirrjen e Veliajt dhe Këlliçit në të njëjtën ditë? Ajo që po bën SPAK është se po na tregon se janë disa aty që hanë kumbulla, pra të njëjtën gjë që na thotë Rama. Pse nuk gjurmojnë lidhjet e krimit me politikën. Sali Berisha u vu nën akuzë se ndryshoi një ligj, por Edi Ramën që miratoi 18 vendime në një ditë për inceneratorët, as e prek fare. Atëherë çfarë mund të themi ne? Ne themi që ose nuk e prekin sepse Rama sakrifikon disa figura, ose i druhen destabilitetit po u godit Rama meqë është në pushtet, dhe amerikanët në anën tjetër duan stabilitet”, tha Lubonja.
Ai u shpreh se Erion Veliajt iu dha modeli që rri atje, bëj korrupsion, shërbeji atij të parit që ke në krye, pastaj ai do të të duhet ty, pra një model bande. “Erion Veliaj është një viktimë, pati një rol në skenë që ia dha Edi Rama”, tha Lubonja.
(BalkanWeb)