Në emisionin Open në News24 është diskutuar lidhur me thirrjen e Erion Veliajt, Kryebashkiakut të Tiranës, në SPAK. Veliaj dëshmoi për mbi 5 orë në SPAK, ndërsa në një sqarim para Këshillit Bashkiak, tha se një qytetar anonim, që nuk ekzsiton, kishte bërë një letër anonime.

“Ju detyrohem një sqarim për bashkëpuimin dhe vizitën time në SPAK sot para dite. Jam informuar që jam denoncuar në mënyrë anonime nga një qytetar që quhet Nesti Angoni i cili është një personazh që nuk ekziston për të na kthyer mallin e letrave anonime. Nesti Angoni nuk ekziston. Të gjithë e dimë kë përfaqëson ky emër, mentaliteti dhe çfarë kulture linçuese”, tha Veliaj.

Ish-ambasadori Agim Nesho, zv.Kryetar i PL-së, tha se SPAK po përdor dy standarde. Ai u shpreh se kemi të bëjmë me një organizatë që po i shërben regjimit të Edi Ramës.

“SPAK është në funksion për të ruajtur figurën e Edi Ramës”, tha Nesho.

Ai tha se SPAK nuk mund të tregojë se është i barazlarguar nga të dyja palët, duke thirrur në të njëjtën ditë, si Erion Veliajn dhe Belind Këlliçin.

“Po persekutohet një ish-President Republike, tërhiqet zvarrë kur arrestohet, ndërsa në të njëjtën kohë arrestohet edhe një deputet i PS-së, i cili del se është caktuar nga grupet kriminale. Por janë dy çështje krejt të ndryshme, që s’mund të vendosen shenja barazimi”, tha Nesho.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb