TIRANË – Ministri i Mirëqënies Sociale Erion Veliaj ka hapur sot debatin për hapjen e dosjeve në Shqipëri, vendosjen e piketave konkrete që duhet të ndërmerren nga Qeveria dhe Kuvendi në ditët në vijim, pasi siç u shpreh ai, koha për hapjen e tyre është tani, në mos ka kaluar dhe mazhoranca ka rënë dakort për të ndjekur modelin më të mirë evropian në trajtimin e të shkuarës, të vendosur nga Komisioni Federal Gjerman për Arkivat e STASI-t.

Në një takim konsultativ për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit në Shqipëri, në të cilin ishin ftuar edhe përfaqësues të ambasadave dhe organizmave të huaja, ministri Veliaj tha:

“Me porosi të Kryeministrit dhe si Ministria që mbulon çështjet e ish-të Përndjekurve Politikë, dëshirojmë të sjellim në një platformë zyrtare, diskutimin për një çështje që përndjek jetën tonë publike dhe institucionale për më shumë se 20 vjetësh. E kam fjalën për përballjen me të shkuarën komuniste të vendit, të diskutojmë parimet që duhet ta shoqërojnë atë dhe të biem dakort mbi piketat konkrete që duhet të ndërmerren nga Qeveria dhe Kuvendi në ditët në vijim.

Në vijim të deklaratës të bërë nga Kryeministri pak kohë më parë, do të doja të shprehesha shkurtimisht mbi modelin që Qeveria ka vendosur të ndjekë ndaj kësaj çështjeje, të ndaja shkurtimisht disa detaje mbi punën e bërë deri më sot nga MMSR për këtë çështje dhe të ngrija disa piketa që mbetet t’i diskutojmë sëbashku gjatë këtij takimi sot për konkretizimin e kësaj nisme.

Ndërkohë që nuk kemi asnjë recetë të gatshme, Qeveria është tashmë e vendosur të përfitojë nga eksperienca më e mirë evropiane në këtë fushë, ajo e Republikës Federale Gjermane në trajtimin e kësaj çështjeje në tërësinë e saj. Jam i gëzuar që ndjekja e këtij modeli është tashmë një qëndrim që ndahet nga përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile dhe drejtuesve politikë në vend.

Kemi arritur në këtë konkluzion jo vetëm për shkak të marrëdhënies së ngushtë dhe ndihmës së pakursyer që Qeveria gjermane ka ofruar gjatë gjithë këtyre dekadave edhe në përballjen me këtë çështje në vend, por mbi të gjitha për shkak të modelit që Gjermania ka vendosur në Evropë dhe më gjërë me trajtimin e kësaj të shkuare.

Kjo tryeze besoj që çon një mesazh të qartë që qëndrimi i mazhorancës sonë është përballja me këtë të kaluar dhe jo fshehja dhe harresa e saj.

Një pyetje tjetër, që dua t’i përgjigjem sot, është: Kur? Kur është momenti që një shoqëri mund të përballet me të shkuarën e saj? Ka shumë, përfshirë dhe historianë dhe ekspertë të fushës, që thonë që përballja me të shkuarën kërkon distancë kohore, që qëndrimet emocionale dhe përfshirja me çështjet e ditës nuk na lejojnë që të përballemi objektivisht me një të shkuar komplekse dhe të dhimbshme.

Duke mirëkuptuar çdo person që sinqerisht i përmbahet një qasjeje të tillë, por jo ata që me këtë qëndrim fshehin dëshirën e tyre për të harruar të shkuarën, dua të them që ky nuk është qëndrimi ynë. Koha është tani, në mos ka kaluar. Zgjedhja e një rruge të tillë është një mënyrë tjetër si bëhet kompromis me të keqen dhe padrejtësi ndaj viktimave.

Jemi tashmë vonë në këtë përpjekje, ndërsa dëshmitarët e gjallë të përjetimit të vuajtjes janë duke u tretur nga dita në ditë, i kemi borxh viktimave dhe trashëgimtarëve të tyre që të mësojmë dhe njohim vuajtjen e tyre dhe të  të afërmëve të tyre.

Çdo vonesë në këtë trajtim, siç e kanë përjetuar shumë vende që zgjodhën një qasje tjetër, përfshirë dhe Shqipëria deri më sot, sjell një kosto të lartë për gjithë shoqërinë.

Si do të mund të bëhet ky trajtim? Edhe në këtë çështje, mazhoranca është e dakortësuar për të ndjekur modelin më të mirë evropian në trajtimin e të shkuarës, të vendosur nga Komisioni Federal Gjerman për Arkivat e STASI-t, i quajtur ndryshe Komisioni Gauck, që mban emrin e Presidentit aktual të Gjermanisë, i cili edhe e drejtoi dhe e mbikqyri,” – tha ministri Veliaj.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: