TIRANË- Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj dhe Drejtori i Bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), Michael Granoff, nënshkruan sot një memorandum bashkëpunimi, i cili synon promovimin dhe thellimin e edukimit të të rinjve me aftësi për sipërmarrjen. Marrëveshja në fjalë e vë theksin te rëndësia e të nxënit përmes praktikave ushtrimore dhe vjen në vazhdimësi të programit “Junior Achievement”.

Pas nënshkrimit të memorandumit, ministri Veliaj vlerësoi si tepër të rëndësishme ndihmën që jep fondacioni amerikan në drejtim të arsimit profesional, duke theksuar se falë këtyre projekteve i jepet mundësi të rinjve që të kuptojnë më mirë rëndësinë e të marrit të një profesioni apo zanati, si një mundësi për një të ardhme më të sigurt.

“Kjo marrëveshje është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne pasi lidhet me futjen e kurseve të biznesit në shkollat tona profesionale, çka i bën ato më të zhdërvjellta në çështjet e sipërmarrjes. Ne kemi pasur një vit fantastik, pasi regjistrimet në shkollat profesionale u rritën me 40%, çka do të thotë se publiku e ka kuptuar mesazhin se arsimi profesional është e ardhmja”, u shpreh Veliaj.

Ai tha se sot gjasat për të gjetur një punë janë më të mëdha kur zotëron një zanat. Sipas tij, falë kësaj mbështetjeje, planifikohet që programi të shtrihet në vitin e III-të akademik, në 26 shkolla profesionale në Shqipëri, duke përfshirë aktualisht mbi 1.300 të rinj, duke lënë të hapur mundësinë që ky bashkëpunim të zgjerohet edhe më tej në rrjetin kombëtar të shkollave profesionale në vend. Më tej, Veliaj theksoi se një nga ndërhyrjet e domosdoshme në shkollat e arsimit profesional ishte edhe lidhja e tyre direkt me sipërmarrjen.

“Këtë vit bëmë disa ndryshime në sistemin e arsimit profesional. Për herë të parë bordet e shkollave menaxhohen nga biznesi sepse gjykuam se lidhja me biznesin duhej forcuar. Ndaj më vjen mirë që sot kemi sipërmarrës që menaxhojnë bordet e shkollave tona”, tha ai. Nisur nga risitë që sjell ky memorandum bashkëpunimi, Veliaj vuri në dukje se qëllimi i MMSR-së është të barazojë kohën e mësimdhënies teorike me atë praktike.

Ndërkaq, Drejtori i Bordit të AADF-së, Granoff vlerësoi programin e ndihmës në fushën e arsimit profesional duke theksuar se modeli që kërkohet të aplikohet ka sjellë rezultate të mira. “Arsyeja pse na pëlqen ky program është se ne mendojmë se nëse nxënësve u ofrojmë arsimim ekonomik apo në termat e biznesit, atëherë kjo automatikisht sjell rritje ekonomike dhe jetesë më të mire”, tha Granoff.

Qëllimi i bashkëpunimit që ofron ky memorandum është të ngushtojë hapësirën mes të nxënit teorik dhe të nxënit praktik, të ndihmojë të rinjtë të bëjnë zgjedhje të zgjuara për karrierën e tyre, si dhe të konsiderojnë vetëpunësimin dhe zotërimin e një biznesi si zgjidhjen e duhur për jetën e tyre.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: