Qendra e Tiranës do të ketë internet falas, dhe kjo falë bashkisë së Tiranës, dhe shumë shpejt edhe disa pika të tjerë të kryeqytetit që janë më të frekuentuara nga qytetarët e turistët do të kenë falas një shërbim të tillë.

Nisma “Tirana Smart City” nisi të funksionojë nga sheshi “Skënderbej”. “Po vijojmë punën në kantierin e sheshit “Skëndërbej”, por tani duke u krijuar mundësi qytetarëve të kenë akses në rrjet. Pra, ata që duan ta vizitojnë sheshin, kanë edhe një mundësi më shumë për të ardhur këtu”, tha Veliaj.

Duke e cilësuar si një ditë të bukur për Tiranën që përqafon çdo ide inovatore, Veliaj ftoi qytetarët ta shfrytëzojnë këtë mundësi të re. Pas regjistrimit herën e parë, qytetarët do të lidhen automatikisht sa herë që kalojnë në sheshin “Skënderbej”, duke përfituar internet falas.

“Duam të targetojmë çdo moshë, ndaj na vjen mirë që ka fëmijë që mësojnë biçikletën në shesh, na vjen mirë që të rinjtë vijnë për koncerte këtu, na vjen mirë kur të moshuarit zënë një hije dhe bëjnë bisedat e tyre, por duam çdo grupmoshë, sidomos adoleshentët, që ta përdorin internetin dhe teknologjinë në natyrë. Ndaj, edhe ata që thonë se rrinë në shtëpi sepse aty kanë internet, s’është e vërtetë sepse tani ka internet edhe në shesh”, tha Veliaj.

Ai tha se këtë verë Tirana do të jetë stacioni i yjeve të muzikës botërore, të cilët do të performojnë për publikun shqiptar. “Edhe koncertet e Ermal Metës dhe Rita Orës janë një arsye më shumë për dalë nga shtëpia. Do të argëtohemi, do të kemi internet falas për të gjithë ata që kujtimet e Tiranës si turistë duan t’ua çojnë të afërmve të tyre”, shtoi Veliaj.

Shërbimi WiFi publik ofrohet nga Bashkia e Tiranës nën emërtimin “Bashkia Tiranë Free WiFi”.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: