Një lajm i mirë për banorët e Komunës së Parisit dhe zonës së Kodrës së Diellit në Tiranë. Gjatë një takimi me strukturat socialiste të Lagjes 13, Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj tha se shumë shpejt dy shkolla të reja, çerdhe dhe kopësht do t’i shtohen komunitetit.

“Kemi ndërtuar 101 çerdhe dhe kopshte, dhe lajmi i mirë që kam për ju sot është se sapo kemi firmosur ndërtesën që do të jetë çerdhja e re në Njësinë 13, kurse në datën 1 korrik firmosim edhe kopshtin e ri. Në këtë rast kemi marrë një vendim tjetër, ndërtesat i kemi marrë të gatshme, për të mos i ndërtuar nga e para në toka që janë në procese gjyqësore. Fillojmë punimet edhe për shkollën e re 9-vjeçare te Parku Botanik, kurse te Parku Olimpik do të kemi gjimnazin, për të mbyllur një herë e mirë këtë histori, për një lagje që i ka dhënë shumë Tiranës dhe PS-së”,  tha Veliaj.

Protestave të ppozitës me molotovë dhe djegie gomash, Veliaj iu përgjigj me bilancin e shkollave që janë ndërtuar në Tiranë. “Ne kemi ndërtuar në Tiranë 42 shkolla të reja. Ata lodhen duke e dëgjuar, por ne kemi ndërtuar më shumë shkolla se sa ç’djegin ata goma”, u shpreh ai.

Veliaj tha se falë investimeve të PS-së, edhe Lagjja 13 është transformuar. “Kur ti thua Kopshti Botanik, Kopshti Zoologjik, kur ti thua Liqeni i Thatë, kur thua gjithë Unaza, pjesa që na ndan nga Selita deri në Farkë, është bërë sot vërtet realitet i transformuar, që e ka në dorë një parti politike. Mendoni që erdhi Zana e Malit dhe e bëri Liqenin natën? Sot, në fakt, Lagjja 13 është njësia me qarkullimin më të kollajtë – nëse do të shkosh në juglindje merr për nga Lundra, nëse do të shkosh për Durrës, për Veri ose Jug të Shqipërisë, merr për nga Astiri, nga Selita”, shtoi ai.

Pavarësisht pengesave, teksa renditi listën e investimeve në këtë njësi, Veliaj tha se ia kanë vlejtur të gjitha betejat. “Janë të njëjtët njerëz, jo si metaforë dhe parti, por edhe si fytyra; janë të njëjtët njerëz që ishin te Bulevardi – ju kujtohet, kishin vënë atë teneqen aty dhe digjnin goma, që të mos zhvillohej bulevardi. Sot kemi një Tiranë që po rritet e po rritet dhe ka nevojë ulëritëse ta mbajë këtë ritëm. Dhe ti shikon që ata djegin ende goma në 2024”, deklaroi Veliaj.

Ai shprehu bindjen se edhe në 2025, PS do të votohet si forcë e parë për të çuar përpara punët e nisura. “Sot jetojmë në ditët më të mira të vendit dhe këto punë i bën një parti që mblidhet, mendon, propozon, premton, votohet, mban premtimet, votohet përsëri, bën prapë punë, votohet përsëri. Përsëri do të votohet e do të fitojë në 2025 nëse do të vazhdojmë me këtë ritëm, me këtë pasion, nëse do të vazhdojmë të jemi të fortë të mbajmë njëri-tjetrin, si një familje. Ata thonë ‘lironi babin’, se për ata partia është qëllim në vetvete”, u shpreh ai.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: