Kandidati socialist për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj u ndal sot në një takim me banorët e Njësisë 3 në kryeqytet, ku bëri një përmbledhje të punëve të bëra në këtë mandat të pare, si dhe prezantoi disa nga projektet që pritet të realizohen gjatë 4 viteve të ardhshme.


Veliaj theksoi se ndihet krenar për punën e bërë në 4 vitet e shkuara sepse ka realizuar premtimet e dhëna për qytetarët, duke nisur që nga infrastruktura rrugore, çerdhet, kopshtet, shkollat dhe këndet e lojërave për fëmijë.


“Nuk ka një vend që të ndihemi në siklet sepse themi “o i kemi bërë premtimet, ose janë duke u përfunduar ato që janë në process”. Fakti që ndihemi krenarë, dhe fakti që na mbush me optimizëm, me frymëzim, me energji pozitive, është që mund t’i shohim njerëzit në sy, dhe nëse diçka nuk është bërë ose është në proces, ka pasur një arsye të vërtetë. Kam qenë shpesh tek ky territor. Mbaj mend se ishte një gërmadhë, pastaj si u bë kantier, pastaj u bë një shkollë fantastike, sot kemi një palestër moderne, kemi vendosur laboratorët e teknologjisë së informacionit, fushat janë bërë mbrapa. Një nga arsyet pse ne mezi presim të vijojmë zgjedhjet, është se mezi presim të shohim se çfarë kemi bërë, dhe na hanë duart që të bëjmë akoma më shumë. Sigurisht, nuk është infrastruktura gjithçka, por është diçka. Do të thotë se në një vend të mirë, në salla të mira, dhe me ndriçim të mirë, hapësira të mira, në vende cilësore, me kompjutera të mirë, me mësues të përkushtuar, patjetër që ka rezultate më të mira. Kemi bërë me shumë dashuri punë të jashtëzakonshme në këtë komunitet”, tha Veliaj.


Më tej, kreu Bashkisë së Tiranës u shpreh se sot Tirana është transformuar në një qytet europian, ndërsa theksoi se opozita ndonëse ka drejtuar prej shumë vitesh bashki të tjera s’ka sot një qytet që ta konsiderojë modelin e punës së vet. “Tani që nuk i voton njeri, tani që sondazhet në Tiranë tregojnë se nuk bëhet fjalë të fitojnë, tani që nuk kanë fytyrë të dalin përpara, sepse dikush mund të thotë se Lali, Blerina ndoshta nuk janë perfekt, por ju çfarë bëtë kur e kishit, se e kishit 4 vjet Tiranën, këtu ishte rruga, shkolla, sheshi që ishte kthyer në një treg ku shitej në mes të rrugës. Brryli, lagjet, hapësira për këndet e lodrave këtu ishin edhe atëherë. Rrugët, trotuaret, ndriçimi, gjelbërimi, këtu ishin edhe atëherë. Një nga arsyet pse nuk vijnë është se nuk kanë çfarë të thonë. Në një qytet që ua ka dhënë shansin sepse në dallim me disa qytete që thuhet se janë bastione të djathta apo të majta, dakord, por në një qytet si Tirana, ku 10 vjet ishte e djathta, 10 vjet me Ramën e majta, dhe pastaj 4 vjet e djathta dhe 4 vjet e majta, besoj se është e qartë si drita e diellit: Kur qeveris e majta dhe PS, Tirana bëhet qytet. S’ka një qytet që ata të kenë model. Kush është Kamza, Shkodra, Burreli, Vau i Dejës, Lezha, Kukësi, Tropoja? Më thoni pra, një qytet që ata ta kenë qarë dhe ne t’i kopjojmë. Ndërkohë, të gjithë thonë ta bëjmë si Tirana, të funksionojë si Tirana, të ecë si në Tiranë. Do të vazhdojmë ta ngremë stekën lart, ose do të vazhdojmë të përpiqemi të bëjmë pak më shumë, o do vazhdojmë të thyejmë rekordin që kemi me veten tone”, u shpreh Veliaj.

Ndaj, ai theksoi se është shumë e rëndësishme që njerëzit të kuptojnë se zgjedhjet e 30 qershorit janë zgjedhje për hallet dhe problemet e tyre dhe jo të politikanëve dhe të opozitës.

(BalkanWeb)