Pas një fushate në çdo lagje dhe fshat, kandidati socialist për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mbylli sot në sheshin “Europa” fushatën e tij elektorale, ku ka kërkuar mbështetjen e qytetarëve të kryeqytetit për të vijuar projektin e Tiranës europiane edhe për 4 vitet e ardhshme.

Në fjalën e tij, Veliaj theksoi se tashmë nuk ka më asnjë dyshim se në 30 qershor e gjithë Tirana dhe Shqipëria do të votojnë kandidatët e koalicionit të majtë dhe Partinë Socialiste. Ai u shpreh se pas KQZ-së e Kolegjit Zgjedhor, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës vulosën 30 qershorin si datën kur do të mbahen zgjedhjet vendore.

“Deri sot mund të kishte njerëz që mund të kishin dyshime, mund të kishte njerëz që kishin hamëndësime, mund të kishte njerëz që kishin një ndrojë, por e tha KQZ, e tha Gjykata, e tha edhe Amerika: Në datën 30 qershor Tirana dhe e gjithë Shqipëria do të shkojë të votojë për punën dhe jo për dhunën, do të shkojë të votojë për ndërtimin dhe jo për shkatërrimin, do të shkojë të votojë për dashurinë dhe jo për zjarrin, do të shkojë të votojë për ta çuar Tiranën dhe Shqipërinë lart dhe jo ta ulim poshtë dhe ta rrënojmë atë. Do votojmë djem dhe vajza që në emër të PS-së do të kemi shumicën në Këshillin tonë Bashkiak për të marrë vendimet tona të jashtëzakonshme”, tha Veliaj.

Më tej, ai theksoi se mezi pret që me votën e qytetarëve në 30 qershor ta çojë Tiranën edhe më përpara në rrugën e saj të transformimit të nisur në këto 4 vite të këtij mandate të parë. “Për mua dhe për skuadrën time, ka qenë një privilegj, ka qenë një mision dhe ka qenë një bekim i jashtëzakonshëm t’iu shërbeja në këto 4 vite si shërbëtor i Tiranës dhe i tironsve. Por mezi pres nëse më jepni besimin mua dhe skuadrës ne të fillojmë 4 vite të tjera”, u shpreh Veliaj.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb