TIRANE- Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, ishte sot në Shën Gjergj të Tiranës, ku zhvilloi një takim me banorët e zonës, me të cilët diskutoi lidhur me problemet e tyre dhe se çfarë mund të bëhet më shumë. Z. Veliaj, i cili në zgjedhjet e 21 qershorit do të kandidojë për Bashkinë e Tiranës, renditi tre çështje kryesore që do të jenë në fokus për këto zona: infrastruktura, tregtimi i produkteve bujqësore dhe zhvillimi i turizmit.

“Jam këtu për të dhënë një mesazh, se nuk do të qeverisim vetëm në qendër të Kryeqytetit, por në të gjithë territorin e ri të Tiranës”, deklaroi z. Veliaj pas takimit me banorët. Ai tha se një nga çështjet kryesore ku do të ndërhyhet fillimisht është infrastruktura. “Shumë fshatra janë të izoluara me një infrastrukturë të pambaruar dhe diskriminuese, ku ca janë trajtuar si ‘të nënës’ dhe ca të tjerë si ‘të njerjkës’. Motoja jonë është: Të gjithë qytetarët e Tiranës, përfshirë edhe ata të Shën Gjergjit, janë njësoj të barabartë për bashkinë e re”.

Ai shtoi se do të marrë fund koha kur Policia Bashkiake i diskriminonte tregtarët e rregullt e të ndershëm, që me djersën e tyre mundohen t’i shesin produktet e tyre bujqësore në Tiranë. Gjithashtu, z. Veliaj tha se në Shën Gjergj apo zonat e tjera përreth Tiranës kanë mundësi të shkëlqyer për të zhvilluar turizmin. Sipas tij, pjesë kryesore e planit për këto zona do të jetë turizmi dhe agrobiznesi.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: