Tirana po kthehet në destinacionin e preferuar të shumë turistëve nga e gjitha bota, duke pritur 1 milionë vizitorë në muaj. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u takua me disa prej grupeve të shumta të turistëve që vizitojnë këto ditë kryeqytetin shqiptar. Në promovimin e pikës së informacionit për turistët në Sheshin “Skënderbej”, Veliaj ndau edhe një bisedë me turistët, për transformimin e qytetit dhe potencialin turistik që ofron Tirana.

Ai theksoi rëndësinë e turizmit për ekonominë e qytetit dhe shprehu kënaqësinë për faktin se Tirana po shndërrohet, gjithnjë e më shume, në një qendër tërheqëse për turistët nga e gjithë bota. “Është një kënaqësi e jashtëzakonshme që kemi një Tiranë plot me turistë sot. Është shumë e rëndësishme që kemi marrëdhënie shumë të mira mes shtetesh, mes qytetesh, por marrëdhëniet më speciale janë mes njerëzve, sepse çdo turist e qytetar kthehet në një ambasador që përhap lajme të mira për vendet që viziton dhe për eksperiencat që ka. Duke qenë se kemi një milionë turistë çdo muaj, sa dyfishi i popullsisë tonë, fakti që Tirana është ende e pastër, fakti që ende kemi respekt për njëri-tjetrin në grup, fakti që respektojmë trafikun, që i lëmë hotelet dhe Airbnb në gjendje siç i gjetëm, meriton gjithë falenderimin dhe respektin nga ana ime”, theksoi Veliaj.

  • foto galeri
  • foto galeri

Turistët e pranishëm u shprehën entuziastë për mikpritjen dhe për bukuritë që ofron Tirana. Ata vlerësuan ndryshimet pozitive që kanë ndodhur në qytet dhe shprehën dëshirën për t’u kthyer përsëri.

Me një përzierje të bukur të traditës dhe modernitetit, Tirana vazhdon të tërheqë vizitorë të rinj dhe të krijojë një përvojë të paharrueshme për ta. Kulla e Sahatit, Xhamia e “Et’hem Beut”, Kalaja e Tiranës, Pazari i Ri, Bunk Art 2, Shtëpia me Gjethe, Piramida janë vetëm disa prej atraksioneve që tërheqin vëmendjen e turistëve. Për t’u ardhur në ndihmë, Bashkia e Tiranës ka ngritur edhe pika informacioni në disa pika kyçe të qytetit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: