TIRANE- Kreu i ri i Bashkisë Erion Veliaj ka mbërritur në Bashkinë e Tiranës, ku është betuar para anëtarëve të Këshillit dhe ka marrë zyrtarisht detyrën e re. Qytetarë të shumtë kanë pritur Veliajn para hyrjes së Bashkisë, duke e përcjellë me duartrokitje. Për të pritur Veliajn kishin dalë edhe Kreu i Këshillit, Aldrin Dalipi, nënkryetarja Vjollca Braho, këshilltari i LSI, Shezai Rrokaj dhe këshilltarja e PS-së, Klotilda Ferhati.

Pasi është betuar, Erjon Veliaj ka mbajtur edhe fjalimin e parë si kryebashkiak i Tiranës. Ai u shpreh se në këto katër vite, Bashkia ka dështuar në përmbushjen e misionit të saj, madje në disa raste ka qenë ajo problem. Kryebashkiaku i ri i Tiranës tha se do të ndjekë një model të ri qeverisës, ndërsa ftoi qytetarët të bashkëpunojnë me të.

“Sot është një ditë e veçantë për të gjithë ne, pasi kemi privilegjin t’i shërbejmë me kohë të plotë qytetarëve të Tiranës. Bashkia do të punojë për qytetarët, dhe vetë ata do të jenë bashkëpunëtore me ne. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të zgjidhur sfidat me të cilat përballet sot Tirana.

Bashkia është rregullatorë e marrëdhënieve në komunitet, por deri më tani ka qenë jashtë loje, ka dështuar në realizimin e kësaj detyre. Qytetarët shpesh kanë gjetur zgjidhje individuale për problemet e tyre. Nga sot do të ketë një model të ri qeverisës. Ashtu si gjatë fushatës u tregova i drejtpërdrejtë gjatë fushatës, ashtu do jem edhe sot.

Tirana nuk do të mund të ndryshojë brenda ditës, por me punë do të ndryshojë ditë pas dite. Kërkoj bashkëpunimin tuaj. Më jepni një dorë të realizojmë ndryshimet që duam. Jam kryetar i bashkisë për çdo qytetar të Tiranës. Kjo ftesë vlen aq më shumë për anëtarët e djathtë të Këshillit Bashkiak, dhe na vjen keq për atë që ndodhi. Gjatë punës tonë nuk do të mungojnë cinikët, s’nuksat, dhe ata që thonë nuk bëhet, por ne do të punojmë së bashku që të sjellim ndryshimin në Tiranë”, tha Veliaj.

BOZDO I DORËZON ÇELËSAT VELIAJT
Kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nuk është pritur nga ish-kryebashkiaku Lulzim Basha, por ka qenë nënkryetari i bashkisë, Enno Bozdo që i ka dorëzuar kryetarit të ri të bashkisë të gjithë dokumentacionin, informacionin dhe dosjet e përgatitura për punën e bashkisë. Ai i dorëzoi Veliajt çelësat e Bashkisë si dhe i prezantoi dosjet mbi të cilat po punon aktualisht administrata.

veliaj bozdo

ALDRIN DALIPI ZGJIDHET NË KRYE TË KËSHILLIT BASHKIAK
Aldrin Dalipi u rizgjodh në krye të Këshillit Bashkiak të Tiranës me 41 vota pro. E majta ka 42 anëtarë në këshill çka do të thotë se njëri prej anëtarëve ka votuar kundër. Pas marrjes së detyrës, Dalipi tha se do të ketë si parim në punën e tij, dialogun politik dhe qytetar për të krijuar një model.

“Dialogu politik dhe qytetar mes palëve i jep mundësi që ajo çka bëjmë ne për qytetarët e Tiranës të kthehet në një model. Ju uroj punë të mbarë dhe së bashku të bëjmë më të mirën për Tiranën dhe qytetarët e saj”, tha Dalipi.

Ndërkohë zëvendëskryetare e Këshillit Bashkiak është zgjedhur anëtarja e PDIU-së, Vjollca Braho.

TË DJATHTËT KËRKOJNË LARGIMIN E ÇUÇIT, BRAKTISIN MBLEDHJEN
Para se të niste ceremonia e betimit të Kreut të ri të Bashkisë, anëtarët e djathtë të Këshillit Bashkiak kanë kërkuar largimin e autoriteteve që sipas tyre nuk kanë tagrin për të qenë në këtë mbledhje, duke iu referuar Ministrit të Shtetit për çështjet vendore, Bledi Çuçi.

Leonard Olli: Të largohen njerëz që s’kanë punë brenda Bashkisë, autoritete që kërkojnë të intimidojnë pushtetin vendor, të shkatërrojnë autonominë vendore. Mos e prishni këtë moment. Na lejoni të jemi këtu por jo me prezencë të autoriteteve që nuk kanë asnjë lloj tagri.
Aldrin Dalipi: Salla e hapur për të gjithë qytetarët dhe për të gjithë ata që dëshirojnë.
Leonard Olli: Në emër të këshilltarëve të djathtë do largohemi.

Keshilli Bashkiak (1)

MBLEDHJA
Këshilli i ri i Bashkisë së Tiranës, i dalë nga zgjedhjet e 21 qershorit, është mbledhur paraditen e sotme, nën drejtimin e anëtarit më të vjetër, Njazi Kosovrasti. Drejtuesi i mbledhjes theksoi rëndësinë që çdo këshilltar i Bashkisë të vihet në dispozicion të kryetarit dhe qytetarëve, për të bërë më të mirën për qytetin.

“Ju uroj të gjithëve ju për ardhjen si këshilltarë në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Të vihemi në dispozicion të qytetarëve dhe kryetarit të Bashkisë, në mënyrë që të gjithë së bashku të bëjmë atë që vlerësojmë se është më e mira për qytetin tonë. Urimi më i mirë është që të jemi sa me të suksesshëm në këtë detyrë që kemi përpara me veten dhe qytetin tonë”- deklaroi Kosovrasti.

Më pas mbledhja vijoi me ngritjen e komisionit për verifikimin e mandateve të këshilltarëve të rinj të Bashkisë së Tiranës. Në përfundim të verifikimit, këshilltarët e Bashkisë janë betuar njëzëri.

Betimi i keshilltareve
Me ndarjen e re territoriale, Këshilli Bashkiak i Tiranës përbëhet nga më shumë këshilltarë, pasi nga 55 këshilltarë tashmë do të ketë 61 të tillë, pra i janë shtuar 6 anëtarë këshilli. Në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak kanë qenë të pranishëm edhe 5 klerikë.

Nga zgjedhjet vendore të 21 qershorit, koalicioni i majtë Aleanca për Shqipërinë Europiane fitoi 42 mandate, ndërsa Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet 19 mandate. Sipas informacioneve, pritet që po ditën e sotme kryetari i ri pas marrjes së mandatit të zyrtarizojë edhe administratorët e rinj të 24 njësive administrative që janë pjesë e Tiranës.

(b.e/er.nu/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb