Nga: OLA MITRE*
TIRANE – Duke filluar nga kjo verë, nuk do lejohet më ndërhyrja në kazanët e mbetjeve, pasi ky veprim rrit ndotjen në qytet dhe përbën rrezik për përhapjen e sëmundjeve”. Deklarata është bërë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, i cili e ka cilësuar këtë hap si të rëndësishëm për të pasur një kryeqytet më të pastër. Por, projekti është kundërshtuar nga përfaqësues të komunitetit rom dhe egjiptian, të cilët më së shumti ushtrojnë këtë aktivitet. Sipas tyre duhet të ofrohen zgjidhje alternative për të gjitha familjet që jetojnë përmes grumbullimit të mbetjeve.

Deklaratat
Sipas Veliajt, qyteti i Tiranës nuk do të lejojë më ndërhyrje në kazanët e mbeturinave sepse shpërndahen infeksione pa fund. “Kush është realisht i interesuar të mbrojë kauzën e atyre që punojnë dhe jetojnë me riciklimin, nuk duhet ta kundërshtojë bashkinë. Për-kundrazi, duhet ta mbështesë bashkinë që këtyre njerëzve t’u japë një punë me sigurime shoqërore, dhe jo të lejojë trajtimin e tyre si skllevër që punojnë për grosistë, të cilët as i paguajnë sa duhet, as i sigurojnë”, – u shpreh ai. Sipas Veliajt, të gjithë ata që merren me mbledhjen dhe shitjen e mbetjeve do të kenë një mundësi reale punësimi në impiantin e riciklimit të mbetjeve në Sharrë, ku jo vetëm do kenë një punë të sigurt, por edhe një pagë me siguracione.

Ndërkaq, për-mes një prononcimi dhënë për “Gazeta Shqiptare”, aktivistja Romina Sefa thotë se janë rreth 15 mijë vetë në Tiranë që ushqehen përmes grumbullimit të kanoçeve apo bidonëve plastikë nga kontenierët, ndaj duhet të mendohet për zgjidhje alternative për këto familje. “Sipas të dhënave që ne kemi, janë mbi 3.000 persona që merren me grumbullimin e mbetjeve. Nëse marrim një mesatare prej 5 vetësh në familje, kjo do të thotë se janë 15 mijë persona që i marrin të ardhurat pikërisht nga ushtrimi i këtij aktiviteti. Ne kurrsesi nuk jemi kundër ndalimit të këtij aktiviteti, pasi jemi të ndërgjegjshëm për rreziqet që ai mbart.

Nga ana tjetër, edhe qytetarët janë të shqetësuar kur hasin nëpër kazanë kolektorët. Por, këtyre familjeve u duhen ofruar mundësi të tjera, në mënyrë që të mos mbeten pa asnjë të ardhur”,- u shpreh Sefa. Sipas aktivistes, Bashkisë së Tiranës i është kërkuar lënia e një periudhe kohe, e cila duhet të shërbejë për gjetjen e zgjidhjeve, siç mund të jetë ndjekja e kurseve profesionale nga përfaqësuesit e këtij komuniteti. “Duke qenë se këta persona kanë kohë që merren me këtë aktivitet, nuk dinë të bëjnë asnjë gjë tjetër. Ndaj do të ishte i domosdoshëm aftësimi i tyre për punë përmes kurseve profesionale, në mënyrë që të marrin një zanat e më pas të mund të sigurojnë të ardhura për familjet e tyre”,- u shpreh Sefa.

Shkresat
Paralelisht, aktivistë të komunitetit rom e egjiptian i kanë nisur disa shkresa Bashkisë së Tiranës, ku ndër të tjera kërkojnë informacion mbi riciklimin e mbetjeve. “Lidhur me punësimin në landfillin e Sharrës (paçka se ka paqartësi për kapacitetin e punësimit, termat e kontratës etj.) banorët përballen me pengesa të tilla si: nuk përballojnë kostot e transportit, pasi një pjesë e tyre jetojnë në zona si Bregu i Lumit dhe Shkoza, sikurse nuk munden të presin pagën një herë në muaj, pasi të ardhurat ditore janë i vetmi burim jetese për familjet e tyre”, thuhet ndër të tjera në një prej shkresave, që “GSH” e disponon, ndërsa theksohet se është hera e dytë që kërkohet informacion, por ende nuk është marrë një përgjigje.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: