“Në të gjitha momentet historike PS ka qenë në anën e duhur të historisë së Kombit tonë”. Kështu deklaroi nga Njësia Nr 7 në kryeqytet kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” Erion Veliaj i cili gjatë takimit me komunitetin e kësaj zone theksoi se PS ka ndërmarrë gjithnjë vendimet e duhura.

“Jam shumë krenar në këtë ditëlindje të PS-së që jam socialist, sepse besoj që është jo vetëm forca më perëndimore, por edhe më patriotikja që sot është në të gjithë shqiptarinë. Nuk besoj që ka sot një forcë tjetër që në çdo kryqëzim të historisë të ketë marrë vendimin e duhur në momentin e duhur për të ardhshmen e kombit tonë”, deklaroi Veliaj.

Kandidati socialist risolli në vëmendje qëndrimin që mbajti PS pas ngjarjes në Gërdec, ku PS vendosi para interesave politike, interesat e vendit duke u bërë promovuese e anëtarësimit të vendit tonë në NATO.

“Kur ndodhi Gërdeci, kur ndodhi një tragjedi e jashtëzakonshme që përfshinte familjen e Saliut, pse Partia Socialiste nuk bllokoi gjithçka? Pse PS nuk doli komplet nga sistemi? Pse PS nuk sabotoi çdo proces? Në fakt korrespondonte me futjen e Shqipërisë në NATO dhe PS tha ç’janë hesape, mëkate, tragjedi problemet tona ne do t’i zgjidhim në shtëpi, por kurrë PS nuk do të bllokonte hyrjen e Shqipërisë në NATO. Dhe në fakt kryetari i partisë sonë, Edi Rama për të cilin jemi shumë krenarë si kryetar dhe si kryeministër, atëherë në një situatë shumë të vështirë, mbaj mend atëherë shkroi një letër publike organizoi edhe një tubim PRO anëtarësimit tonë në NATO dhe thamë ka ndodhur çfarë ka ndodhur, janë problematikat tona të brendshme. Por ne si socialistë, Shqipërinë nuk e tradhtojmë kurrë jashtë dhe ne si socialistë, integrimin e Shqipërisë nuk e pengojmë kurrë”, theksoi Veliaj.

Në ndryshim nga qëndrimi i mbajtur nga socialistët në këto vite, Veliaj tha se opozita e sotme mezi pret që të bllokojë përparimin e vendit drejt familjes evropiane. Por theksoi ai, kur të shkruhet historia e Shqipërisë, shqiptarët do e dinë qartë se kush ishin ata që donin ta sabotonin Shqipërinë, e kush ishin ata që donin ta avanconin Shqipërinë.

“Shikoni ç’bën pala tjetër, pala tjetër edhe pse e di që tani merret një vendim shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, që ne të hapim negociatat, edhe më në fund të fillojmë të realizojmë këtë ëndërr për të qenë në BE, jo vetëm që ndyn kudo, por edhe aty ku ka më shumë akses, holandezi i gëzohet faktit që një vend po tregohet më skeptik, një vend po tregohet më dyshues dhe janë gati të anulojnë zgjedhjet dhe të prishin procesin, vetëm që Shqipëria të mos futet në BE. Ka vetëm një forcë Partia Socialiste e Shqipërisë, që nuk i tradhton kurrë, nuk i tradhton kurrë interesat kombëtarë. Një ditë do shkruhet historia e Shqipërisë, siç do shkruhet edhe historia e Tiranës, do shkruhet historia, edhe në këto klasa, në këto shkolla që kemi ndërtuar, e rindërtuar, e të tjera do bëjmë, do mësohet në libra çfarë ndodhi këtë vit. Kush ishin ata që donin ta sabotonin Shqipërinë, e kush ishin ata që donin ta avanconin Shqipërinë”, nënvizoi Veliaj.

Veliaj, i cili garon pë rnjë mandat të dytë për drejtimin e Bashkisë së Tiranës tha se PS ka lënë sot pajën më të rëndësishme politike, trashëgiminë më të fortë institucionale dhe historinë më të lavdishme se çfarë do të thotë të bësh politikë moderne, europiane, ndërtuese, afirmuese, inkurajuese, pozitive, optimiste.

Ai risolli në momentet dhe momentet deçizive të marra nga qeveria socialiste e drejtuar nga Pandeli Majko gjatë luftës së Kosovës, ndërkohë që PD dhe Berisha furnizonin me armë makinerinë vrastare të Millosheviçit. “Dje ishte gjithashtu përvjetori i Çlirimit të Kosovës, ky është momenti për të dhënë një duartrokitje për të gjithë vëllezërit dhe motrat tanë në Kosovë. Kur kujtoj që sot jam pjesë e familjes socialiste jam dyfish krenar, sepse kur diskutohej çështja e Kosovës, PS dhe në atë kohë kryeministri Majko ishin me UÇK, ishin me çlirimtarët, ishin me ata që donin lirinë e Kosovës, ishin me ata që kishin vizionin, që bënë sakrificën, që kishin kurajën të përballeshin me një ushtri uzurpatore. Dhe PS ishte në anën e duhur të historisë. Por nuk ishte kështu për të gjithë. Në atë kohë Berisha furnizonte me naftë, Millosheviçin, në atë kohë Berisha thoshte UÇK-së organizatë terroriste. Në atë kohë Berisha bënte thirrje që të mos firmosej marrëveshja e Rambujesë”, tha Veliaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb