Në një atmosferë solemne, Kolegji i Europës festoi 75-vjetorin e tij në Bruksel, duke përkuar me hapjen zyrtare të kampusit të tij të tretë në Tiranë. Të ftuar të nderit në ceremoni ishin kryetarët e Bashkive të Tiranës, Bryzhit dhe Varshavës, qytete, që janë pritës të Kolegjit të Europës. Duke iu drejtuar audiencës së të diplomuarve ndër vite (Alumni) të kolegjit, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehu krenarinë për përfshirjen e Tiranës si një nga tre qytetet që presin kampuset e këtij institucioni prestigjioz.

“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme që Tirana është pjesë e tre qyteteve që kanë një kampus të Kolegjit të Europës, bashkë me Bryzh dhe Natolin [Varshavë], me të cilat ndajmë një eksperiencë fantastike dhe ku ka ndodhur zgjerimi i parë për vendet e Evropës Qendrore. Hapja e kampusit në Tiranë sinjalizon një hapje të re dhe një zgjerim të ri, jo vetëm si anëtarësim në BE, por edhe si mentalitet evropian”, tha Veliaj.

Ai shtoi se ky projekt ka transformuar jo vetëm “Qytetin Studenti”, por edhe vetë Tiranën, duke krijuar një mjedis të pasur kulturor e arsimor. Veliaj ndau lajmin e mirë për zgjerimin e kampusit vitin tjetër. “Kemi një super lajm: nga viti i ardhshëm kampusi do të dyfishohet, po ashtu edhe numri i studentëve, ndaj më vjen mirë që në të njëjtat konvikte ku jetojnë studentët e Kolegjit të Evropës, jetojnë edhe studentët shqiptarë. I gjithë “Qyteti Studenti” ka marrë jetë nga kjo eksperiencë, por besoj se e gjithë Tirana ka përfituar nga fakti se kemi këtë kontribut të studentëve që vijnë nga gjithë BE-ja, për të pasur një përvojë unike në Tiranë. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm të rritjes çdo vit me studentët që vijnë në kampusin e Tiranës, do të jemi vërtet një histori suksesi”, deklaroi Veliaj.

Rektorja e Kolegjit të Europës, Federica Mogherini, falenderoi kryebashkiakun e Tiranës për angazhimin e tij në këtë projekt historik. “Jemi shumë të lumtur që Kolegji i Europës ka hapur dyert në Tiranë me mbështetjen tuaj personale dhe të Bashkisë së Tiranës. Aty ndjehet entuziazmi, ndihet prania e Bashkimit Europian në rajon, dhe jam shumë krenare për nisjen e vitit të ri akademik. Studentët po ndjekin kurset e tyre, po japin provimet, dhe presim që vitin tjetër të kalojmë në 55 studentë, e më pas të rritemi çdo vit, për të integruar plotësisht Tiranën, Shqipërinë, dhe të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor në komunitetin e kolegjit dhe në Bashkimin Europian”, u shpreh ajo.

Kampuset e Kolegjit të Europës në Tiranë, Bruzh dhe Natolin vazhdojnë të jenë një urë për bashkëpunimin dhe integrimin europian.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: