Kandidati i koalicionit të majtë Erion Veliaj deklaroi se ndërkohë që në datë 30 kreu i PD-së Lulzim Basha e kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi përgatisin valixhet për të ikur, në Tiranë fillon puna për më shumë rrugë, kopshte, shkolla etj.

Nga Petrela ku prezantoi programin për katër vitet e ardhshme, Veliaj theksoi se ‘në datë 1 korrik Luli do iki në Holandë, ndërsa Enkelejd Alibeaj në fundjavë është duke marrë solar’.
“Në datë 30 kemi ditë feste. Se do mbarojë kjo në datë 30. Di t’ju them se në datë 1 korrik ne do jemi këtu, kurse Luli do iki në Holandë; Enkelejd Alibeaj në fundjavë është te Folie Marine duke marrë solar, duke u nxirë nuk është si ne që nxihemi nga krahu e poshtë, e nga qafa e sipër si shofer kamioni. Ata e kanë në terezi. Bujar Nishani i bëri të gjithë me pasaporta amerikane, president me pasaportë austriake, ndërroi pasaportën. Kur ti shikon që bëjnë flatrat e shqiponjës dhe që këndojnë himnin me zë të ngjirur, ty të vjen për të vjellë, thua me kë po tallen?! Njerëz që lanë pasaportat, latë Shqipërinë, vajtët dhe u betuat për besnikëri në një shtet tjetër, shtete shumë të respektuara por kemi shtetin tonë, o miq dhe vëllezër. Dhe në datë 30 ata përgatitin valixhet për të ikur, ne në datë 1 korrik jeni këtu, fillojmë punën për rrugën e re deri ne Qeha, fillojmë punën për tregun e ri ushqimor, për shkollën e re në Sauk, që mbledh gjithë këtë zonë për një gjimnaz më cilësor, fillojmë punën për urat e reja që kemi folur, fillojmë punën nuk bëjmë gati valixhet. Kështu që i fundit i mohikanëve që mund ti ketë ngelur PD-së në katundin tonë, i themi o shok: Edhe ti do bësh valixhet, të kanë dhënë dhe ty pasaportë austriake apo ti do rrish me Lalin tënd këtu që ta bëjmë këtë qytet për së mbari. Nëse kanë plane që të rrinë me ne, duhet t’ju hedhim dorën në qafë dhe t’ju themi ça ka kaluar, ka kaluar, ça ka ik, ka ik…”, theksoi Veliaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb