JAPONI

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në vijim të vizitës së tij në Japoni, zhvilloi edhe një takim me ministrin e Punëve të Jashtme Taro Kono, me të cilin biseduan rreth mundësisë së heqjeve të vizave.

Veliaj dhe Kono vlerësuan nivelin e lartë të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe shumë shpejt pritet edhe heqja e vizave për qytetarët shqiptarë.

“Më në fund kemi një Ambasadë si në Shqipëri, ashtu edhe në Japoni, do të thotë se marrëdhëniet e vendeve janë në një nivel akoma më të lartë. Një nga kërkesat tona ka qenë edhe heqja e vizave për qytetarët shqiptarë, e cila po vlerësohet, sepse besoj se shkëmbimi mes njerëzve është po aq i rëndësishëm sa shkëmbimet e politikës, e shteteve, e burokracive apo edhe shkëmbimet ekonomike”, tha ai.

Krahas menaxhimit të emergjencave civile dhe transportit publik, edhe menaxhimi i ujërave të zeza është një nga fushat e bashkëpunimit mes qeverisë japoneze dhe Bashkisë së Tiranës. Në vijim të vizitës së tij në Japoni, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një takim edhe me kreun e Agjencisë Japoneze të Zhvillimit (JICA) Shinichi Kitaoka, nga i cili mori garancinë për financimin e projektit për kanalet e ujërave të zeza dhe sistemin e filtrimit të tyre.

Agjencia Japoneze e Zhvillimit do të vazhdojë me financimin e projektit për kanalet e ujërave të zeza dhe sistemin e filtrimit të ujërave të zeza në Tiranë. Kemi pasur disa probleme me ish-administratën e Ministrisë së Transporteve, të cilat janë në rrugën e zgjidhjes, dhe për gjithë qytetarët e Tiranës lajmi i mirë është se projekti do të vazhdojë dhe investimi i nisur përgjatë rrugës së Kombinatit në njërën nga brigjet e Lanës, që mbulon ujërat e zeza për gjysmën e qytetit, do të përfundojë”, tha Veliaj.

 (BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: