Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputetja e PS, Blerina Gjylameti, inspektuan përfundimin e punimeve dhe vunë në dukje se kjo zonë, deri dje, ishte një baltovinë e paurbanizuar, kurse ka pësuar një ndryshim të jashtëzakonshëm. “Nuk ka gëzim më të madh se sa të marrësh uratën dhe falenderimet e banorëve, kur shikon se atyre u është rritur vlera e shtëpisë, po u shiten dyqanet, po u ecën biznesi. Duke parë fotot se si vetëm për pak ditë kjo zonë, nga një baltovinë e paimagjinueshme, është transformuar kaq shumë, besoj se ka një përgjigje: Ajo është vota!”, tha Veliaj.


Ai nënvizoi se besimi i dhënë nga qytetarët, përmes mbështetjes masive me votë në 30 qershor, është përkthyer menjëherë në më shumë investime. Kryebashkiaku siguroi se ndryshimi do të prekë çdo lagje, njësoj si në këtë bllok banimi. “Në 30 qershor Kashari na dha një votë masive për t’u urbanizuar si qendra e Tiranës dhe bashkë me Blerinën nuk pritëm katër vjet, as katër javë, që t’ia kthenim menjëherë përgjigjen Kasharit. Siç bëmë në këtë bllok, do bëjmë në çdo bllok”, tha Veliaj.


Kryebashkiaku deklaroi se fitorja historike në Kashar ishte edhe një mesazh i qartë se përtej politikës, për qytetarët rëndësi ka zgjidhja e shqetësimeve të komunitetit të tyre. “Dua t’i falenderoj të gjithë banorët e Kasharit për besimin e jashtëzakonshëm që na dhanë, një fitore historike në Kashar për PS. Ishte një mesazh që na dha populli: Ata duan që të zgjidhim hallet e tyre, jo hallet e politikanëve. 30 qershorin e panë si një mundësi për të na dhënë një marrëveshje, për të na dhënë një votëbesim, një kontratë, që ne të zgjidhim hallet e tyre. Jemi kthyer sot për të zgjidhur këtë hall, nesër për të zgjidhur një hall tjetër, e kështu me radhë”, nënvizoi ai.


67203296 715798322177029 3197097428062830592 N
67203296 715798322177029 3197097428062830592 N

Veliaj siguroi se puna nuk do të ndalet me kaq, por do të vijojë edhe me realizimin e një sërë investimesh të rëndësishme, si Bulevardi i Kasharit dhe projekti tek “Shqiponja”. “Do jemi posaçërisht të vëmendshëm, duke nisur nga rruga e madhe, që është aksi dhe damari kryesor i qarkullimit në Kashar, te zona e Astirit, Rr. “Teodor Keko”, nënkalimi dhe mbikalimi i “Shqiponjës”. Teksa po rregullojmë të gjithë pjesët kapilare, sigurisht do të rregullojmë edhe damarët kryesorë, ku qarkullon ‘gjaku’ financiar dhe ekonomik i zhvillimit të Tiranës. Garantoj të gjithë qytetarët se e kemi lexuar votën e tyre me shumë përulësi, me këmbë në tokë, për më shumë punë”, theksoi Veliaj.

Mandej, Veliaj shtoi se do të shtohet vëmendja për zonat periferike dhe rurale. “Transformimi më i madh që unë pres të shoh në këto 4 vite do të jetë në këto zona periferike, kryesisht njësitë që janë më afër Tiranës, që janë urbanizuar përtej natyrës së tyre rurale, si zona e Kasharit, Freskut, zona e Kopshtit Botanik, sepse besoj që vetëm atëherë kur Tirana ecën me të njëjtën shpejtësi, si në qendër, edhe në periferi, mund të quhemi një qytet dinjitoz dhe i hapur për të gjithë”, tha ai.

Teksa vlerësoi ndryshimin rrënjësor që ka pësuar e gjithë kjo lagje e Kasharit, deputetja e PS, Blerina Gjylameti tha se vëmendja e treguar në këto 4 vite do të vijojë edhe këtë mandat të dytë. “Kemi parë që në këto 4 vite, nga bashkia është punuar në të gjitha cepat. Nëse 4-vjeçarin e parë është punuar kryesisht në akset kryesore, këtë 4-vjeçar do të kalojmë në blloqet e banimit, do të kalojmë pak më shumë drejt periferisë, për të pasur ekzaktësisht të njëjtat shërbime kudo”, u shpreh Gjylameti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb