TIRANË- Linjë transporti publik, ndërtimin e ujësjellësit, rikonstruktim të rrugës që lidh autostradën Tiranë-Elbasan me Krrabën dhe rrugëve që lidhin fshatrat, si dhe ndërtimin e një fushe sporti, janë pjesë e programit të kandidatit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, për banorët e Krrabës. Në takimin e zhvilluar sot me banorët e kësaj zone, Veliaj prezantoi programin e detajuar për Krrabën, të cilën e vlerësoi si një kontratë midis tij dhe zgjedhësve që do të hyjë në fuqi më 21 qershor. 

“Më mirë të nënshkruajmë një kontratë për gjëra të thjeshta dhe të realizueshme me njerëzit se sa të tregojmë përralla dhe barsaleta. Nuk kemi garë me ta, por kemi garë me faktin se si do e sjellim Bashkinë e re të Tiranës në drejtimin e duhur”, deklaroi Veliaj. Krahas pikave konkrete për këtë zonë, kandidati i koalicionit të majtë shpalosi zotimet për zhvillimin ekonomisë rurale. Sipas tij, njësia administrative Krrabë ka nevojë për rikonceptim të shpërndarjes gjeografike dhe organizim të tregjeve. “Do të kemi hapësira ku njerëzit të shesin edhe në vende të caktuara, por edhe në ditë të caktuara, duke i caktuar fshatit rrugë të ndryshme për të shitur në Tiranë për atë fundjavë. Do të përcaktojmë disa tregje të përhershme, që fermerët që vijnë nga zona e Krrabës dhe zona të tjera të kenë mundësi t’i aksesojnë ato”, tha Veliaj. 

Për kandidatin e majtë, ndarja e re administrative do të sjellë shumë të mira duke qenë se Bashkia e re e Tiranës do të ketë më shumë kompetenca, çka do të përkthehet në më shumë shërbime edhe për zonat rurale. “Bashkia e re do të angazhohet për të gjitha proceset e vaditjes dhe kullimit, që të sigurohemi që nuk do të ngelet tokë pa punuar nëse dikush do të punojë. Ne duam të koordinojmë më mirë politikat e bujqësisë. Për të marrë fonde nga BE, nga agjencia bujqësore, si për dy dynym ashtu edhe për 100 hektarë, është e njëjta burokraci, të njëjtat letra dhe dokumente që duhen plotësuar. Ne duhet të kthejmë një bashkëpunim të stilit kapitalist”, deklaroi Veliaj. Ai tha se për të mbështetur zhvillimin e zonës dhe inkurajimin e njerëzve për të shkuar në zonat rurale, do të aplikohet politika e “km 0”.

Në tej, Veliaj bëri publike se në krye të Bashkisë së Tiranës do të ngrejë Qendrën e Agronomisë dhe Veterinarisë, Qendrën e Këshillimit dhe Mbështetjes së Zonave Rurale për të ofruar asistencë teknike, do të shtojë pikat e grumbullimit të produkteve në Tiranë. Gjithashtu, ai theksoi se do të hartohet një guidë e plotë turistike dhe do të ofrohen incentiva për ato ferma dhe ato biznese agro-bujqësore që janë të hapura ndaj turizmit.

Për Krrabën, Veliaj propozoi përfshirjen e kësaj zone në planin e tij për rikonceptimin e transportit publik dhe duke krijuar mundësinë që dikush që merr urbanin nga kjo zonë, të udhëtojë me atë biletë në gjithë Tiranën. “Ujësjellësi është një nga çështjet më problematike në Krrabë. Është e paimagjinueshme se si çështja e ujësjellësit nuk gjen zgjidhje pas kaq vitesh. Në 21 qershor do të votoni për të zgjidhur problemin e ujësjellësit në fshatrat Mushqetë dhe Skuterë sepse çështja e ujësjellësit duhet të marrë zgjidhje brenda këtij mandati”, deklaroi ai.

Për të gjithë fëmijët që kanë nevojë për hapësira ku të kalojnë kohën e lirë, kandidati i majtë tha se është identifikuar një hapësirë për realizimin e një terreni sportiv në Krrabë, çka do t’i mundësonte të gjithë fëmijëve të kësaj zone të kenë një jetë më të shëndetshme.

Pikat e programit për Krrabën: 

1. Mbulimi i Krrabës me linja Transporti Publik;

2. Ujësjellës për fshatrat Mushqeta dhe Skuterrë;

3. Rikonstruktojmë rrugën që lidh Autostradën Tiranë-Elbasan me Krrabën;

4. Rikonstruksion i Rrugëve që lidhin fshatrat Mushqeta e Skuterrë me Krrabën;

5. Ndërtojmë një fushë sporti në Krrabë.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: