Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputetja e PS në Njësinë 1, Elona Gjebrea, inspektuan punimet për rikonstruksionin e plotë të një prej shkollave emblematike të kryeqytetit, “Ali Demi”, ku studiojnë mbi 1 mijë nxënës.

“Është planifikuar të mbarojë për 6 muaj dhe jam i sigurt se edhe inxhinierët, edhe kolegët e stafit që punon, synojnë që ta mbarojnë për semestrin e parë; pra, në semestrin e dytë t’i rikthejmë nxënësit në shkollë. Shkolla “Ali Demi” është një nga shkollat më të mira, por edhe një nga shkollat më të vjetra të Tiranës, e cila është ndërtuar në vitet ‘70. Qartazi, ka nevojë për të vënë dorë, siç janë edhe 20 kantieret e tjera ku po punojmë në Tiranë, në çerdhe, kopshte e shkolla”, tha Veliaj.

Ai u shpreh se problematikë mbetet numri i lartë i nxënësve si pasojë e dëshirës së prindërve për t’i dërguar fëmijët e tyre në disa shkolla të caktuara, çka sjell mbipopullimin e tyre. “Kjo është një shkollë që po rikonstruktohet plotësisht, ama nuk na e zgjidh çështjen e mësimit me dy turne në këtë lagje dhe në komunitet, për sa kohë më lart në Shkozë, Lanabregas, apo te banesat sociale, kemi 2-3 shkolla që punojnë me kapacitet të paplotësuar. Do të thotë se sfidën më të madhe e kemi me infrastrukturën kulturore”, deklaroi ai.

Ndaj, kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje të gjithë prindërve që të regjistrojnë fëmijët e tyre në shkollat më të afërta, duke i siguruar për të njëjtën cilësi mësimdhënie. “Do të kujdesemi për çdo infrastrukturë shkollore, edhe në fshatin më të largët, edhe në zemër të qytetit. Për sa kohë infrastruktura është njësoj dhe për sa kohë që stafi mësimor është i njëjtë, vjen nga portali, shkon automatikisht dhe emërohet me pikët që merr aty, e gjithë tafmaja që kemi pasur për t’i torturuar kalamajtë duke bërë xhiro nëpër Tiranë, duke i futur nëpër furgonë dhe duke i sjellë vërdallë nëpër qytet, është diçka që duhet të ndryshojë. Thirrja ime për të gjithë prindërit është: Regjistrojini fëmijët në shkollën më të afërt, mos i torturoni”, nënvizoi Veliaj.

Ai nënvizoi se falë rikonstruksionit të shkollave ekzistuese, por edhe themeleve të 16 shkollave të reja, në kryeqytet do t’i jepet fund njëherë e mirë mësimit me dy turne. “Përveç shkollave që po rikonstruktohen, do të hapim edhe disa shkolla të reja ose shkolla ku janë bërë shtesa, për të ulur mësimin me dy turne. Me 16 themelet dhe kantieret që janë hapur për paketën tonë të shkollave komunitare, besoj se do ta zgjidhim përfundimisht çështjen e mësimit me dy turne”, u shpreh Veliaj.

Por, krahas shkollave, Bashkia e Tiranës po punon paralelisht edhe për rikonstruksionin e kopshteve dhe çerdheve. Kryebashkiaku tha se këtë vit do të nisë pilotimi i çerdheve në mjediset e punës në kompani që kanë mbi 100 punëtorë. “Këtë vit do të bëjmë disa pilotime me çerdhet; do t’ju kërkojmë kompanive si bankat, kompanitë celulare, që kanë më shumë se 100 punëtorë, që të kenë çerdhe brenda në ndërmarrjen e tyre. E bën e gjithë bota, e ka edhe ligji ynë. Nuk është zbatuar deri tani, por duam që në Tiranë të jemi të parët që e zbatojmë duke filluar nga Bashkia e Tiranës dhe kompanitë e tjera të mëdha që kanë selitë e tyre në Tiranë”, theksoi Veliaj.

Deputetja e PS, Elona Gjebrea i shprehu mirënjohjen kryebashkiakut Veliaj për mbështetjen e vazhdueshme ndaj komunitetit të Njësisë 1. “Dëshiroj ta falenderoj kryetarin e Bashkisë dhe ekipin e tij për mbështetjen që i jep Njësisë 1. Në rastin konkret, për rikonstruksionin e shkollës “Ali Demi”, një shkollë tradicionale dhe me emër në të gjithë njësinë tonë. Shpresoj që të kemi bashkëpunim edhe bë vazgdim, që t’ju ofrojmë nxënësve një arsim me cilësi, siç e meritojnë”, u shpreh Gjebrea.

Zona e lagjes “Ali Demi” ka pësuar një transformim të thellë, duke filluar nga rruga kryesore, tek blloqet e pallateve dhe shkollat, nga shkolla “1 Maji” deri te ato më pranë Lanabregasit dhe Shkozës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb